Ushtarët e Ballukut rrëzojnë SPAK-un me 82 vota

Me 82 vota pro maxhoranca u  bë mburojë e Belinda Ballukut duke rrëzuar sot në Kuvend kërkesën e SPAK për t’i hapur rrugë arrestimit të saj pasi është në hetim në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025.

Balluku është marrë si e pandehur dhe person nën hetim, për shkak se dyshohet se ka kryer, në mënyrë të përsëritur, veprën penale: "Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike", kryer bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të K.Penal. 

82 votave të maxhorancës iu bashkuan votat e PSD-së së Tom Doshit, ndërsa në sallë munguan deputetët socialistë Fatmir Xhafaj, Elisa Spiropali, Blendi Gonxhe, Belinda Balluku.

Menjëherë pas votimit, deputetë të opozitës, kanë nisur të godasin tavolinën, ndërkohë deputetët e PD-së dhe Sali Berisha bllokuan foltoren në shenjë proteste. 

Votat

Kërkesa e Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) për dhënien e autorizimit për arrestimin/ heqjen e lirisë së deputetes Belinda Balluku, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit u votua 82 kundër dhe 47 vota pro. 

Për kërkesën e SPAk përfaqësuesit e mazhorancës dhe të opozitës në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin dolën me dy raporte të ndryshme, PS ishte kundër dhe PD pro arrestimit të Ballukut.