Milani i përgatitur për merkato me 100 milionë euro, tri blerjet kryesore
Me kualifikimin në Champions League praktikisht të siguruar dhe me një fund sezoni që ende do të përcaktojë tensionin ndaj Interit për ‘Scudetto’-n, në shtëpinë e Milanit po planifikohet sezoni i ardhshëm. Synimi është të forcohet skuadra për të konkurruar në mënyrë optimale në ndeshjet italiane dhe europiane, që do të zhvillohen çdo tri ditë.
Sipas raportimeve të ‘Gazzetta dello Sport’, gjatë një takimi të organizuar mes trajnerit Massimiliano Allegri dhe drejtorit sportiv Giorgio Furlani, u diskutua një buxhet prej rreth 100 milionë eurosh për merkato, i cili do të varet pjesërisht nga fitimet nga pjesëmarrja në Champions (65–70 milionë euro, plus të ardhurat nga biletat) dhe rikthimi i disa lojtarëve që janë aktualisht me huazim, si p.sh. Alex Jimenez që do të kthehet me 9.5 milionë euro.
Në mbrojtje, në fokus janë Kim nga Bayerni dhe Gila nga Lazio. Në mesfushë, objektivi kryesor është Leon Goretzka, ndërsa në sulm prioritet ka Moise Kean, i cili kishte qenë pjesë e Juventusit nën drejtimin e Allegrit dhe trajneri dëshiron ta rikthejë te Milani.
Në rast se blerja e Kean nuk realizohet, alternativat kryesore për sulmues janë Dusan Vlahovic, nëse nuk rinovon me Juventusin, dhe Loïs Guirassy nga Borussia Dortmund. Klauzola e Kean aktivizohet gjatë dy javëve të para të korrikut dhe vlera e saj është 62 milionë euro, duke bërë që Milani të ketë mundësinë të blindojë sulmuesin e dëshiruar për sezonin e ardhshëm.