Pasi Rama e degdisi edhe nga Komisioni i Jashtëm, Spiropali bojkoton mbledhjen e grupit

Teksa kryetari i Partisë Socialistë, Edi Rama zgjodhi jo vetëm ta shkarkonte nga posti ministror, por edhe ta hiqte nga Komisioni i Jashtëm, Elisa Spiropali zgjodhi këtë të enjte ta bojkotojë grupin parlamentar socialist.

Një veprim i tillë vjen si një 'notë proteste' e socialistes Spiropali ndaj vetë shefit dhe kreut të PS, Edi Rama, pasi ky i fundit zgjodhi të kënaqte 'orekset' e Belinda Ballukut, duke mos i dhënë asnjë post Elisa Spiropalit jo vetëm në qeveri por as në komisionet parlamentare që socialistët i drejtojnë.

Në mbledhjen e grupit të PS këtë të enjte, që i paraprin seancës parlamentare ku do të diskutohet që në nisje, imuniteti i Belinda Ballukut, Elisa Spiropali e ka bojkotuar mbledhjen së bashku me kolegun tjetër socialist, Fatmir Xhafaj.

Mesa duket, kjo lëvizje nga ana e kryeministrit Edi Rama për Spiropalin, vjen hapur pas akuzave nga ai, se bën pjesë në grupin e ‘deputetëve anglishtfolës’, të cilët nuk e kanë mbrojtur vjedhjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, te ndërkombëtarët.

Gjithashtu pritet që Pirro Vëngu të emërohet te Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, një tjetër kërcitje si lëvizje, pasi si ish-ministër i Mbrojtjes, kontributi i tij mund të ishte më i nevojshëm te Komisioni i Sigurisë.

Elisa Spiropali u shkarkua si ministre për Europën dhe Punët e Jashtme dhe në vend të saj u emërua Ferit Hoxha.

Po ashtu Pirro Vëngu u shkarkua si Ministër i Mbrojtjes dhe vendin e tij e zuri Ermal Nufi.