'Çështje lufte' - Trump: Çmimi i naftës do të ulet më shumë seç e prisni

Presidenti Donald Trump deklaroi dje para mbështetësve të tij në Kentucky se vendimi i 32 vendeve për të liruar rezerva nafte do të “ulë ndjeshëm çmimet e naftës”.

Më herët gjatë ditës, teksa vizitonte një biznes në Cincinnati, Trump i quajti luhatjet e çmimeve të naftës një “çështje lufte”.

“Çmimet po bien shumë ndjeshëm,” tha ai.

“Nafta do të bjerë. Kjo është thjesht një çështje lufte që ndodh. Mund ta parashikosh pothuajse gjithmonë. Do të thosha se u rrit pak më pak sesa prisnim. Do të bjerë më shumë nga sa e kuptojmë ne, apo kushdo tjetër.”

Më pas ai shtoi se SHBA-ja do ta “shikojë me shumë seriozitet” Ngushtica e Hormuzit, duke shtuar: “Ngushtica është në gjendje shumë të mirë. Ne kemi shkatërruar të gjitha anijet e tyre. Ata kanë disa raketa, por jo shumë.”