Arbeloa: Ishim ekip i madh, zbatuam më mirë planin tonë
Trajneri i Real Madridit, Álvaro Arbeloa, u shfaq shumë i kënaqur në konferencën për shtypin pas fitores së thellë 3-0 ndaj Manchester City-t në stadiumin ‘Santiago Bernabéu’, në ndeshjen e parë të fazës së 1/8-ave të UEFA Champions League. Tekniku spanjoll theksoi se skuadra e tij e zbatoi planin e lojës në mënyrë perfekte.
“Ishte ndeshja në të cilën e kemi ndjekur më shumë planin tonë. Kemi qenë një ekip i madh dhe kjo është ajo që na duhet për të fituar. Real Madridi ka lojtarë shumë të mirë, por duhet të jemi një ekip i madh. Lojtarët kanë cilësi të jashtëzakonshme, por janë edhe më të mirë kur zbatojnë idenë kolektive”, u shpreh Arbeloa.
Ai u ndal edhe te performanca e shkëlqyer e Federico Valverde-s, autor i një ndeshjeje të madhe. “Jam shumë i lumtur për Feden. Ndoshta një ditë do të më urrejë, sepse i kërkoj gjithmonë shumë. Ai përfaqëson në mënyrë perfekte atë që është Real Madridi. Është një nga liderët e skuadrës dhe kjo mbrëmje më bën shumë krenar për të”.
Arbeloa foli edhe për përballjen me trajnerin e City-t, Pep Guardiola. “Nuk mund të krahasohem me Guardiolën dhe historinë e tij në futboll. Ai ka fituar shumë dhe është një nga rivalët tanë më të mëdhenj. Por fakti që e mposhtim një ekip të tij e bën edhe më të rëndësishme fitoren tonë”.
Trajneri madrilen pranoi se kundërshtari kishte një nga skuadrat më të forta në Evropë, por theksoi besimin te ekipi i tij. “Ata kanë një nga skuadrat më të mira në Evropë, me shumë lojtarë të nivelit të lartë dhe ishin në një seri fitoresh. Ne kishim shumë mungesa të rëndësishme, por jemi Real Madridi dhe mund të bëjmë gjithçka”.
Arbeloa vlerësoi edhe portierin Thibaut Courtois, duke thënë se performancat e tij janë të jashtëzakonshme. “Nuk më pëlqen të bëj krahasime, por nuk e di nëse kam parë ndonjëherë diçka të ngjashme me Courtois në portë. Ai është si një bonus shtesë në çdo ndeshje”.
Në fund, trajneri madrilen theksoi se gjithçka mbetet e hapur para ndeshjes së kthimit në Angli. “Kemi fituar vetëm një ndeshje. Ishte një mbrëmje e madhe, por në këtë klub festohen trofetë, jo fitoret. Jemi vetëm në mes të përballjes dhe nëse relaksohemi qoftë edhe pak, City mund të na ndëshkojë në Manchester”.