Shtyhet sërish gjyqi për vdekjen e Maradonës, procesi i ri nis më 14 prill

Procesi i ri gjyqësor për vdekjen e legjendës së futbollit Diego Armando Maradona është shtyrë sërish nga drejtësia argjentinase. Gjykata penale e San Isidro-s vendosi që seanca e parë të zhvillohet më 14 prill, duke shtyrë nisjen e procesit që fillimisht ishte planifikuar për 17 mars.

Vendimi u mor pasi prokuroria dhe palët civile kërkuan ndryshim të kalendarit të seancave gjyqësore. Si pjesë e këtij riorganizimi, është vendosur që seancat javore të reduktohen nga tri në dy, ndërsa lista e dëshmitarëve është shkurtuar ndjeshëm: nga 178 emra në vetëm 90.

Ky proces i ri vjen pas anulimit të bujshëm të gjyqit të parë për shkak të parregullsive që iu atribuuan gjyqtares Julieta Makintach. Në bankën e të akuzuarve ndodhen shtatë persona nga stafi mjekësor që kujdesej për Maradonën gjatë periudhës së rikuperimit pas një ndërhyrjeje delikate për heqjen e një hematome në kokë.

Mes të akuzuarve janë neurokirurgu Leopoldo Luque, psikiatrja Agustina Cosachov, psikologu Carlos Díaz, infermieri Ricardo Almirón, shefi i tij Mariano Perroni, koordinatorja e sigurimit shëndetësor Swiss Medical, Nancy Forlni, si dhe mjeku klinik Pedro Di Spagna. Ata akuzohen për vrasje nga pakujdesia në lidhje me trajtimin e ish-futbollistit.

Autopsia zyrtare ka përcaktuar se Maradona ndërroi jetë më 25 nëntor 2020, në moshën 60-vjeçare, si pasojë e një edeme akute pulmonare të shkaktuar nga insuficienca kardiake. Raporti mjekoligjor zbuloi gjithashtu se zemra e tij peshonte 503 gramë, pothuajse dyfish më shumë se pesha normale, dhe paraqiste kardiomiopati dilatuese si dhe grumbullim të madh lëngjesh në trup dhe organe.