Alcaraz dominon Casper Ruud dhe kalon në çerekfinale në Indian Wells, eliminohet Djokovic

Carlos Alcaraz vazhdon formën e shkëlqyer në turneun prestigjioz Indian Wells Masters. Tenisti spanjoll siguroi kualifikimin në çerekfinale pasi mposhti bindshëm norvegjezin Casper Ruud me rezultatin 6-1, 7-6, në një ndeshje që zgjati rreth një orë e gjysmë.

Numri 1 i botës zhvilloi një paraqitje shumë të fortë, duke mos i dhënë asnjë mundësi kundërshtarit për “break” dhe duke fituar plot 88% të pikëve me shërbimin e parë. Me këtë fitore, Alcaraz regjistroi suksesin e 33-të radhazi në fushat e forta dhe mbetet i pamposhtur gjatë vitit 2026.

Në çerekfinale, spanjolli do të përballet me britanikun Cameron Norrie, i cili siguroi kualifikimin pasi mposhti australianin Rinky Hijikata me shifrat 6-4, 6-2. Norrie ka një precedent pozitiv ndaj Alcarazit, pasi e ka mundur më herët në turneun e Paris Masters në Bercy.

Në çerekfinale u kualifikua edhe rusi Daniil Medvedev, i cili fitoi ndaj amerikanit Alex Michelsen me rezultatin 6-2, 6-4.

Ndërkohë, surpriza e madhe e turneut erdhi nga britaniku Jack Draper, që eliminoi legjendën serbe, Novak Djokovic, pas një përballjeje spektakolare. Ndeshja përfundoi 6-4, 4-6, 7-6 në favor të Draperit, pas 2 orësh e 37 minutash lojë. Britaniku vazhdon kështu mbrojtjen e titullit në Indian Wells, vetëm në ndeshjen e tij të gjashtë pas rikthimit nga një dëmtim.

Në turneun e femrave, kaluan në fazën tjetër edhe polakja Iga Swiatek, që mundi Karolina Muchova 6-2, 6-0, si dhe amerikania Jessica Pegula, e cila fitoi ndaj Belinda Bencic me rezultatin 6-3, 7-6.