Kinsky thyen heshtjen pas mbrëmjes së vështirë në Madrid: Nga ëndrra te makthi dhe përsëri te ëndrra
Portieri i ri i Tottenhamit, Antonin Kinsky, ka thyer heshtjen pas mbrëmjes së vështirë që përjetoi në Madrid përballë Atlético Madridit. Gati 24 orë pas ndeshjes, gardiani çek reagoi përmes një mesazhi në rrjetet sociale, duke falënderuar të gjithë ata që i qëndruan pranë në një moment delikat të karrierës së tij.
Përmes një “story” në Instagram, Kinsky shprehu mirënjohjen për mbështetjen që mori nga tifozët dhe ndjekësit pas gabimit që çoi në golin e tretë të skuadrës spanjolle. Mesazhi i tij ishte i shkurtër, por domethënës: “Faleminderit për mesazhet. Nga ëndrra te makthi dhe përsëri duke ëndërruar. Shihemi”, shkroi portieri i Tottenhamit.
Së bashku me fjalët e tij, 21-vjeçari publikoi edhe një imazh nga transmetimi televiziv i ndeshjes. Në fotografi ai shfaqet i gjunjëzuar në fushë dhe dukshëm i dëshpëruar, menjëherë pas momentit kur gabimi i tij solli golin e rezultatit 3-0 për Atlético Madridin.
Mbrëmja në kryeqytetin spanjoll ishte një nga ato që një portier dëshiron t’i harrojë sa më shpejt, por reagimi i Kinsky-t tregon se ai është i vendosur të kthejë faqen dhe të vazhdojë përpara. Mesazhi i tij lë të kuptohet se, pavarësisht zhgënjimit, ai synon të rikthehet më i fortë dhe të vazhdojë të luftojë për vendin e tij në portën e Tottenhamit.
Tifozët e klubit londinez ndërkohë i kanë dhënë mbështetje të madhe portierit të ri, duke e inkurajuar që ta lërë pas këtë episod dhe të shohë drejt ndeshjeve të ardhshme.