'Transporti urban në kolaps', kryetari i shoqatës: Qeveria nuk po merr masa, do të detyrohemi të ulim shërbimin
Rritja e vrullshme e çmimit të naftës po e çon transportin publik urban drejt një situate kritike, duke rrezikuar kolapsin e shërbimit për qytetarët.
Përfaqësuesi i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, Kostandin Foni, nga studioja e 'Kafe Shqeto' ka paralajmëruar se nëse nuk merren masa urgjente, operatorët do të detyrohen të reduktojnë numrin e mjeteve në qarkullim për shkak të pamundësisë financiare.
Foni shpjegoi se shtrenjtimi i karburantit me 40 deri në 50 lekë për litër brenda një jave i ka bërë kostot operacionale të papërballueshme.
Ai theksoi se operatorët e transportit urban e blejnë naftën me të njëjtin çmim si çdo qytetar, pa asnjë lehtësi fiskale, ndonëse ofrojnë një shërbim publik thelbësor.
Barra fiskale mbi këtë sektor është e shumëfishtë. Përveç çmimit të lartë të karburantit, operatorët paguajnë taksën e qarkullimit, akcizën dhe një TVSH prej 20% mbi shitjen e biletave.
Sipas Fonit, kjo situatë është në kontrast të thellë me vendet e rajonit, ku TVSH-ja për këtë shërbim varion nga zero deri në 5%, dhe taksat si akciza apo ajo e qarkullimit janë të hequra për të mbështetur transportin publik.
"Në rastin tonë, taksa e qarkullimit duhet të hiqet komplet," deklaroi ai, duke e quajtur atë një "taksë demotivimi" për një shërbim që duhet të stimulohet.
Shoqata i është drejtuar qeverisë me kërkesa konkrete për të ndërhyrë, me qëllim parandalimin e një situate edhe më dramatike.
Rreziku kryesor është se nëse çmimi i naftës vazhdon të rritet, duke kaluar pragun e 2200 lekëve, mbulimi i shpenzimeve bëhet i pamundur vetëm me të ardhurat nga biletat.
Deklarata e plotë:
“Shiko, duke parë rritjen që pësoi domethënë për rreth një javë, për një javë shkoi rreth 40 dhe 50 lekë për shtrenjtimi i karburantit për liter, atëherë dhe ne jemi të detyruar që të të veprojmë duke duke dërguar kërkesat tona në mënyrë që t'i paraprijmë dhe dhe situatës më dramatike në rast se çmimi do të kapërcejë 2200 lekëshin apo 2300 lekëshin, që është e pamundur më pas të mbulohen shpenzimet që kanë operatorët nga të ardhurat që kanë nga bileta e një përdorimshme.
Operatorët e marrin karburantin tek pikat e furnizimit, domethënë tek në Porto Romano, një lloj si si veturat apo si mjetet private.
Pra nuk kanë asnjë diferencim edhe pse ata kanë një kontratë të përcaktuar ku duhet të ofrojnë shërbimin e tyre kundrejt orareve, frekuencave dhe minutave që janë të përcaktuara.
Po, ajo është një handikep për transportin publik. Ajo është një taksë demotivimi për privatin që mos të ketë shumë mjete, të reduktojë qarkullimin e tij, ose në rast se do të qarkullojë do të paguajë taksën më të lartë. Në rastin tonë është e kundërta.
Në rastin tonë taksa e qarkullimit duhet të të hiqet komplet. Jo vetëm taksa e qarkullimit, por dhe akciza, akcizën e karburantit për transportin publik.
Në vendet e rajonit nuk diskutohet që taksa e qarkullimit, akciza janë të zeruara për për blerjen e karburantit për për këtë shërbim, por edhe TVSH-ja të cilën paguajnë
Ne e paguajmë dhe TVSH-në e shitjes për biletat, është 20%. Në vendet e rajonit është zero deri në 5% TVSH-ja.
Por, në rast se do të vijojë rritja e çmimit të karburantit, në rast se institucionet nuk marrin masat e tyre dhe nuk ndërhyjnë apo të ulemi në një tryezë që të diskutojmë se si mund të të ulim kostot, atëherë ne ajo që kemi në dorë është reduktimi i mjeteve.
Por reduktimi i mjeteve nuk vjen për pasojë se duan operatorët të ta reduktojnë, por në pamundësi financiare, ata do të detyrohen të reduktojnë mjetet, kapacitetin e tyre, pra mos ta ofrojnë shërbimin sipas kontratës që kanë gjithsecili".