‘Po konkurrojmë me AI në auditor…’/ Nadia Elbasani: Inteligjenca Artificiale po ndryshon mënyrën si mësojnë studentët
Zhvillimi i inteligjencës artificiale po transformon çdo aspekt të jetës, nga arsimi te tregu i punës. E ftuar në ‘Kush Paguan’ në SYRI TV, pedagogia dhe inxhinieria e IT, Nadia Elbasani analizoi sfidat dhe mundësitë që sjell kjo teknologji, duke ngritur pyetje thelbësore për të ardhmen e shoqërisë.
Në fushën e arsimit, sipas saj, AI paraqet një sfidë të dyfishtë. Pedagogët përballen me vështirësinë për të mbajtur vëmendjen e studentëve, të cilët tashmë kanë akses në informacion të shpejtë dhe të përmbledhur. Sipas pedagoges, modeli tradicional i mësimdhënies po zëvendësohet nga një qasje e personalizuar, ku mësimi përshtatet sipas njohurive dhe nevojave të secilit student. Megjithatë, theksohet se përdorimi i këtyre mjeteve kërkon një qasje kritike, pasi vetë platformat e AI paralajmërojnë për mundësinë e gabimeve dhe nevojën për verifikimin e informacionit.
Nadia Elbasani: E vërtetë është, është sfidë më vete për arsye se modelet e ndryshme të inteligjencës artificiale po e bëjnë shumë herë më të vështirë që të kemi mundësi të tërheqim vëmendjen e studentëve dhe ta mbajmë për një kohë të gjatë sa zgjat një leksion apo një seminar. Është sfidë që unë tashmë e kam pranuar, madje e inkurajoj që të përdoren modelet e inteligjencës artificiale, duke qenë se kur të dalin në tregun e punës, ato modele do i përdorin. Kështu që mendoj që duhet t'i përqafojnë që në bankat e shkollës, herë pas here edhe duke më çekuar mua mbi informacionin që jap përmes inteligjencës artificiale, duke çekuar edhe vetë inteligjencën artificiale, sepse është e rëndësishme fakti që jo çdo informacion që ne marrim përmes platformave të inteligjencës artificiale, ta marrim të mirëqenë. Është e thënë edhe nga modelet e inteligjencës artificiale, në terms and conditions, ashtu edhe të thëna apriori në të gjitha përgjigjet që japin, që, ju lutem, çekoni informacionin për gabime të mundshme. Sigurisht që inteligjenca artificiale ka ndihmuar të gjithë sektorët, por gabime ka, sepse mënyra e trajnimit mund të ketë patur gabime dhe në këtë moment, padyshim që, mundet që të prodhojë një gabim, të cilin është e rëndësishme ta çekojmë.
Është sfiduese, më shumë sesa të më çekojnë, që nuk është problematik u aty, problemi qëndron sepse informacioni që merret nga inteligjenca artificiale është i shpejtë, i shkurtër, ndërkohë që unë do të duhet të shtjellohem në orën e një leksioni apo një seminari. Është sfidë sepse ti konkuron me me inteligjencën artificiale dhe duhet të jesh po aq atraktiv dhe të tërheqësh vëmendjen e studentit për aq sa duhet.
Duke qenë se jam në Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit, normalisht, kryesisht studentët targetohen të ndjekin gjuhë programimi të ndryshme dhe fillojnë dhe mësojnë atje, marrin kurse private, po prapë duke ndjekur modele të inteligjencës artificiale. Pra, nuk mjafton më një kurs fizik siç vite më parë edhe unë kryeja, por personalizohet në bazë të studentit dhe njohurive që ai ka. Domethënë, ka ndryshuar gati çdo gjë në krahasim me 15 vite përpara. Dhe 15 vite nuk është se janë aq shumë. Pra, në kohën kur unë isha në fakultet, padyshim që kisha metoda tradicionale të të ndjekurit një kurs, të ndjekurit një seminar, leksion, ndërkohë sot, inteligjenca artificiale ka bërë të mundur që të gërshetohet dhe të realizohet një objektiv final më i mirë i mundshëm për secilin student. Që do të thotë, nëse unë kam njohuri bazë, testohem mbi ato njohuri dhe më pas kursi që ndjek do të jetë i personalizuar në bazë të testimit që kam kryer në fillim. Që në fakt është shumë e mirë. Më pas padyshim që siç edhe u përmend, social media manager ka ndryshuar totalisht me inteligjencën artificiale. Disa profesione duket sikur do të zëvendësohen, kështu që ka një afat kohor që i jepet këtyre profesioneve për të riaftësuar veten.