Jurgen Klopp drejt pankinës së Gjermanisë? Emri i tij përflitet si pasues i Nagelsmann-it
Trajneri gjerman, Jürgen Klopp, mund të rikthehet së shpejti në pankinë, këtë herë për të drejtuar përfaqësuesen e Gjermanisë. Sipas raportimeve të gazetës gjermane Bild, ish-trajneri i Liverpoolit dhe Borussia Dortmundit është një nga kandidatët kryesorë për të marrë drejtimin e përfaqësueses gjermane në të ardhmen.
Aktualisht, tekniku 58-vjeçar punon si drejtor i futbollit global në grupin Red Bull GmbH, një rol që e mori pasi u largua nga Liverpooli në vitin 2024. Megjithatë, sipas mediave gjermane, ai mund të rikthehet në stol për të zëvendësuar trajnerin aktual të Gjermanisë, Julian Nagelsmann.
Edhe pse Nagelsmann ka kontratë me federatën gjermane deri në vitin 2028, një ndryshim mund të ndodhë që këtë verë, pas përfundimit të FIFA World Cup 2026. Kohët e fundit janë përhapur edhe zëra që e lidhin Klopp-in me një kalim te Real Madridi, por duket se skenari më i mundshëm për të ardhmen e tij mund të jetë drejtimi i kombëtares së vendit të tij.
Sipas agjentit të tij, Marc Kosicke, federata gjermane ka kontaktuar disa herë me trajnerin për këtë mundësi. Madje, ideja për ta parë Klopp-in në krye të përfaqësueses është diskutuar edhe brenda strukturave të Red Bullit, ku konsiderohet një opsion mjaft realist.
Kur u largua nga Liverpooli në fund të sezonit 2023/24, Klopp vendosi të bëjë një pushim të rrallë në karrierën e tij si trajner. Që nga debutimi në pankinë me Mainz-in në sezonin 2001/02, ai kishte punuar pa ndërprerje për më shumë se dy dekada: shtatë vite në Mainz dhe shtatë të tjera me Borussia Dortmundin.
Më pas, në vitin 2015, gjatë një pushimi me familjen në Lisbonë, ai mori ofertën nga Liverpooli dhe vendosi të nisë një aventurë të re. Klopp qëndroi për afro nëntë vite në krye të “Reds”, deri në largimin e tij në vitin 2024, duke u kthyer në një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë e klubit.