VIDEO/ Tela: Pas 6 vitesh nga shpallja, projekti i Porto Romanos është ende në pikën zero

Gazetari Andi Tela deklaroi se projekti për ndërtimin e Portit të ri në Porto Romano mbetet ende pa asnjë rezultat konkret, edhe pse kanë kaluar rreth gjashtë vite nga momenti kur u artikulua për herë të parë si ide nga qeveria.

I ftuar në emisionin 'Task Force' me Sonila Meçon në SYRI TV, Tela u shpreh se procesi ka kaluar disa faza dhe procedura, por deri më sot asnjë kompani nuk ka marrë përsipër realizimin e projektit.

Sipas tij, ideja për zhvendosjen e portit nga Durrësi në Porto Romano u artikulua nga kryeministri në fund të vitit 2020, me argumentin se porti ekzistues ishte i vogël dhe nuk kishte më mundësi zgjerimi.

Ai shtoi se në vitet 2021–2022 nisën projektet dhe procedurat, ndërsa në diskutime u përfshinë edhe përfaqësues nga rajoni, përfshirë ministrin e Infrastrukturës së Maqedonisë së Veriut dhe përfaqësues nga Kosova, pasi projekti lidhej edhe me zhvillimin e Korridorit VIII.

Sipas gazetarit, gara e parë për ndërtimin e portit u konceptua si një koncesion, ku kompania fituese do ta ndërtonte dhe operonte portin me financimet e saj.

Një vit më vonë u propozua një formulë tjetër, me partneritet publik-privat, ku 46% e investimit do të mbulohej nga privati dhe 54% nga shteti shqiptar. Megjithatë edhe kjo procedurë nuk prodhoi rezultat.

‘Publikisht janë shprehur vetëm amerikanët. Pra, kishim vetëm deklaratën e Dhomës Amerikane të Tregtisë. Dhe dua të nënvizoj faktin që kryeministri Rama në fund të vitit 2020 artikuloi faktin që porti i Durrësit është i vogël, atje shkarkohet qymyr dhe krom dhe bën pluhur dhe ne po mendojmë që ta zgjerojmë se ai nuk ka më mundësi të zgjerohet aty ku është. Kështu që ne mendojmë ta zgjerojmë, pa pa u shpërfaqur ideja e investimit të Alabarit. Ta zhvendosim në Porto Romano. Në fillim të 2021-shit u tha që tash porti i Durrësit do bëhet marinë e do zhvillohet e do bëhet pjesë e qytetit dhe ne portin do ta zhvendosim në Porto Romano. Më 2021-shin, në 2022-shin filluan dhe u hapën garat dhe projektet. Ftuan ministrin e infrastrukturës së Maqedonisë së Veriut, të Kosovës.

Dhe në atë moment, dhe në atë moment që porti i Durrësit po bëhej, po po flitej më gjerësisht më, që do ishte hyrja e korridorit tetë, sepse për vite me radhë ishte harruar korridori tetë. Në atë moment u hap gara dhe thanë, do bëjmë portin te Porto Romano. Dhe gara u hap me idenë e një koncesioni. Pra kompania që do hynte në garë dhe do ta fitonte garën, do ta ndërtonte dhe do ta operonte me lekët e saj dhe shteti shqiptar do të kishte përfitimet e tjera anësore në këtë histori. Hynë nja 26-27 kompani në garë, asnjëra nuk paraqiti ofertë.

Dhe u tërhoqën dhe u anulua si procedurë. Një vit më pas u shpik një procedurë e dytë. Thanë, 46% do ta ndërtojë privati, 54% shteti. Pra, partneritet publik-privat. Firma të tjera shfaqen interes dhe në fund u tërhoqën.

Dhe tash vendosëm që të gjithën ta bëjë shteti. Pra, pjesa e parë e këtij projekti do ishte diku te 400 milionë euro, pjesa e dytë diku te 370-470 milionë euro.

Dhe sot, dje më saktë, mësuam që edhe kompania e vetme që kishte kaluar gjithë ato ngërçet e garave të katër të tjerave, dhe ajo u tërhoq nga projekti. Pra sot, gjashtë vite mbasi është artikuluar dhe anoncuar projekti i Porto Romanos, ne jemi zero.

Prapë shkarkohen në portin e Durrësit edhe kromi, edhe qymyri dhe anijet me kapacitet të ulët. Por ndërkohë kanë ndryshuar shumë gjëra. Ka ndryshuar edhe në pikëpamjen gjeostrategjike. Pra kemi një luftë në Ukrainë, kemi një interes më të madh që korridori tetë, siç është korridori i parë i veriut, i Suedisë, Finlandës.

Siç është i dyti që shkon nga Gjermania në Poloni, do ishte dhe ky korridori i tretë që do shkonte deri në detin e Zi. Interesi për detin e Zi është bërë më i madh, siç thonë ekspertët?

Dhe në këtë moment ne jemi me duar të ngritur. Pra nuk kemi një port që duhet të kishte nisur të ndërtohej ndërkohë tre, katër apo pesë vite më parë. Nuk kemi asnjë interes për momentin të shfaqur dhe do na duhet një procedurë tjetër e gjatë, së cilës ende nuk i dimë fundin. Pra, do ketë më interes një kompani për një garë tjetër të ta ndërtojë portin e Durrësit?

Ky është projekti me idenë që porti i Durrësit tash, mos të jetë më një port i vogël i Adriatikut, por të jetë një port i madh i Adriatikut, i cili të konkurrojë portin e Selanikut, që ndërkohë para 30 vitesh ka qenë gati i barabartë me portin e Durrësit në kapacitetet përpunuese. Tani i ka gjashtëfishuar, i ka shtatëfishuar kapacitetet. Ndërkohë që porti i Durrësit i ka rritur 1 apo 1.5% kapacitetet e tij’, tha ndër të tjera, gazetari Andi Tela në SYRI TV.