Anulimi i portit në Porto Romano/ Shehaj: Tenderi u copëtua dhe u favorizua një kompani e lidhur me rusët
Ekspertja e ekonomisë Brisida Shehaj, e ftuar në emisionin ‘Task Forcë’ në SYRI TV me gazetaren Sonila Meço, e cilësoi si një zhvillim pozitiv tërheqjen e kompanisë nga projekti i portit të Porto Romanos. Sipas saj, ndërtimi ose zhbërja e një porti ka pasoja të mëdha ekonomike për dekada dhe vendimet e gabuara mund t’i kushtojnë rëndë ekonomisë së vendit.
Shehaj ngriti dyshime për mënyrën se si është zhvilluar procedura e tenderit, duke theksuar se kriteret teknike fillimisht nuk u plotësuan nga kompani lidere ndërkombëtare, ndërsa u favorizua një kompani që, sipas saj, rezulton e lidhur me interesat ruse. Ajo vuri në pikëpyetje edhe arsyetimin e qeverisë për anulimin e procedurës, duke kërkuar transparencë mbi kostot reale të projektit dhe mënyrën se si është menaxhuar i gjithë procesi.
Brisida Shehaj: Kjo që ndodhi sot, e shoh si një lajm shumë të mirë. Pse e shoh si një lajm të mirë? Sepse, zhbërja apo bërja e një porti është një dëm shumë i madh ekonomik për një periudhë shumë të gjatë kohore. Pra, kanë folur shumë ekspertë. Ideja është kjo, kanë folur shumë ekspertët dhe humbja e një avantazhi të tillë apo përmirësimi dhe dhënia një vendi një avantazhi të tillë si porti, ndihmon shumë ekonominë në periudha shumë afatgjata dhe do flasim me dekada. Shumë ekspertë thonë dhe shekuj. Kështu që, domethënë, anulimi ose tërheqja e kësaj kompanie e cila ka lidhje ruse. Kjo pjesa e aludimit, sepse ai ministri sot për të cilin shpreh një keqardhje shumë të madhe si nga kapacitetet teknike që tregoi sot, por edhe nga mënyra se si u shpreh, pra ndjej një keqardhje them, mirë ne. Është kompani e lidhur. Sepse është e thjeshtë.
E para, ky zotëria që është ministër dhe zëvendësoi Belinda Ballukun, thotë sot që kjo kompani, gara ishte shumë e mirë thotë, gara ishte konform ligjit dhe që nuk ishte aspak konform ligjit, sepse kjo garë është bërë në disa etapa. Fillimisht, janë kërkuar plotësimi i kritereve teknike dhe çuditërisht, kriteret teknike nuk i plotësonte Vinci, një ndër kompanitë lider në botë, mos të themi e vetmja lider në botë për ndërtimin e porteve. Por, i plotësonte kjo kompania anonime, e cila po ta them, mjafton të futesh në Google dhe në faqe të caktuara të cilat siç themi, të QKB-të, që i jep, siç kemi ne QKB-në, ka dhe, ka dhe të tilla platforma në vende të tjera, ku del më se qartë që kjo është një kompani e lidhur me Lukoil-in. Pra, është një kompani e lidhur me kompani të cilat kanë sanksione të vendosura dhe të lidhura me financimin rus dhe kompani me ortak rus. Dhe në gjithë këtë procedurë që bëjnë këta zotërinj, në fund fare, në fund fare, mbasi ky ishte i vetmi që plotësonte të gjithë kriteret teknike, këta e copëtuan tenderin dhe thanë, faza e fundit do jetë oferta ekonomike. Pra, nëse në tenderat e tjerë ti futesh, futen të gjithë në garë dhe aty shikohen edhe kriteret teknike, edhe kriteret financiare, pra që ky do të bënte një ofertë brenda limitit të vlerës që ka përcaktuar shteti shqiptar.
Çfarë ndodh? Sot na kujtohet ky ministri, bashkë me këta të kompanisë, mbasi një denoncim shumë të rëndë që bëri Arben Ahmetaj, se do të vihemi dhe një çikë në kronologji. Dhe mbasi SPAK-u vajti 48 orë në portin e Durrësit edhe në një mënyrë jo fort komode për Autoritetin Portual Durrës, qëndroi atje dhe mori çdo lloj dokumentacioni, na del ministri dhe thotë, për shkak edhe të krizës, unë nuk e di çfarë krize paskemi ne në ndërtim, që na qenkan rritur kostot dhe kjo kompania nuk jepka dot një ofertë të pranueshme brenda çmimit që ka vendosur qeveria. Që automatikisht, pyetja që ngrihet dhe pyetja që kam unë është, atëherë sa do kushtojë kjo faza e parë e këtij porti, nëse ky çmimi me këto miliarda që ka vendosur qeveria shqiptare nuk qenka më e përballueshme se tashi na paska dhe një krizë tjetër që paska rritur çmimet.