Korrupsioni në zgjedhje, Memolla bën rekurs në Gjykatën e Lartë

Pas dënimit me 1 vit burg për korrupsion në zgjedhje, Kryetari i Bashkisë Rrogozhinë Edison Memolla i është drejtuar me rekurs Gjykatës së Lartë ku kërkon prishjen e vendimit.

Për këtë kërkesë ende nuk është caktuar relatoti edhe as data e zhvillimit të seancës.

Hetimet për kryebashkiakun e majtë nisën pas publikimit ekskluziv në Syri Tv, të një audio-përgjimi, ku dëgjohet Edison Memolla, në atë kohë kandidat për kryetar bashkie në Rrogozhinë, teksa ndikon tek një elektricist, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor.

Sipas të dhënave ky ndikim i Memollës kishte si qëllim sigurimin e votave në favor të tij për zgjedhjet e pjesshme lokale të vitit 2022.

Më pas u zbulua se me elektriçistin Xhamani, Memolla bisedoi edhe për punësime në Bashkinë e Rrogozhinës, në këmbim të votës. Apeli i Posaçëm e dënoi me nga 1 vit burg edhe Blerim Xhamanin e Ndriçim Tafshafën.

Ndërsa Isuf Tosku u dënua me 8 muaj heqje lirie që ju konvertua në 1 vit e 4 muaj shërbim prove. Aktualisht Edison Memolla ndodhet i izoluar pranë burgut të Rrogozhinës e ndërsa kjo bashki po drejtohet nga një i komanduar.