SYRI TV/ Banorët e Baks Rrjollit protestë në SPAK: Na kanë grabitur pronat me falsifikime
Banorët e Baks Rrjollit kanë protestuar sërish para SPAK, ku kërkuan drejtësi për pronat e tyre, të cilat pretendojnë se po u grabiten nga investitori privat. Ata denoncuan me emra personat që po i vjedhin pronat, ndërsa i bënë thirrje SPAK që të hetojë këtë çështje. Të revoltuar nga mosreagimi i SPAK, protestuesit hodhën vezë drejt godinës. Protestës iu bashkuan edhe banorët e Durrësit që preken nga projekti TID, të cilët për vjedhjen e pronave të tyre e bëjnë përgjegjëse Belinda Ballukun.
SYRI TV
Banorët e Baks Rrjollit dhe të Durrësit protestuan këtë të mërkurë para SPAK, kundër projekteve që prekin pronat e tyre.
Ata kërkuan takim me përfaqësues të SPAK, por iu refuzua. Në shenjë revolte hodhën vezë drejt fasadës së institucionit.
Banorët akuzuan se pronat e tyre po uzurpohen për ndërtimin e një resorti turistik. Ata kërkuan që SPAK të hetojë pasi po shkojnë drejt një lufte civile.
Luçiana Kokaj, banore e Rrjollit, tha se kallëzimi ndodhet në fazë verifikimi sipas një përfaqësuesi të BKH.
Përfaqësuesit ligjor të banorëve treguan emrat dhe veprat penale të personave që kanë kallëzuar në SPAK, ndërsa ngritën dyshime se janë të përfshirë persona me pushtet.
Protestës iu bashkuan edhe banorë nga Durrësi, të cilët kundërshtojnë projektin TID që parashikon shembjen e banesave të tyre. Ata fajësuan ministren Belinda Balluku, duke e cilësuar përgjegjëse për të dyja projektet.
Ata kërkojnë ndalimin e punimeve dhe trajtimin e çështjes në përputhje me ligjin, duke i bërë thirrje institucioneve shtetërore dhe SPAK që të ndërhyjnë.