'Ishte e pamundur t’i thoshim ‘po’ rikthimit të Messit te Barcelona', kreu i LaLiga-s mbron Laporta-n

Presidenti i LaLiga-s, Javier Tebas, ka reaguar ndaj debatit të rikthimit të mundshëm të Lionel Messi te Barcelona, duke mohuar kategorikisht se liga spanjolle kishte dhënë miratimin për një transferim të tillë.

Gjatë një eventi të organizuar nga ISDE, Tebas hodhi poshtë deklaratat e ish-trajnerit të Barcelonës, Xavi Hernandez, dhe ish-drejtorit sportiv, Mateu Alemany, të cilët më herët kishin pohuar se kishin marrë një sinjal pozitiv nga LaLiga për rikthimin e ‘yllit’ argjentinas.

“Barcelona nuk kishte asnjë ‘po’ nga LaLiga dhe, në fakt, as që e kishte kërkuar një gjë të tillë”, u shpreh Tebas. Ai theksoi se ishte e pamundur të miratohej një transferim pa ditur detajet financiare të kontratës së mundshme të Messit.

“Ishte e pamundur të jepnim miratimin pa e ditur se sa do të fitonte Messi dhe pa parë si do të përshtatej kontrata me rregullat e kufirit të pagave. Edhe nëse kontrata do të paraqiste një vlerë më të ulët, do të ishte shumë e vështirë”, shtoi ai.

Tebas shkoi edhe më tej duke deklaruar se Mateu Alemany është gabuar në interpretimin e situatës. Sipas tij, edhe nëse do të kishte një marrëveshje, kontrata do të ishte analizuar sipas të njëjtave kritere si ajo e Joao Felix.

Gjatë fjalës së tij, presidenti i LaLiga-s foli edhe për projektin për të zhvilluar një ndeshje të kampionatit spanjoll në Miami, një ide që sipas tij është bllokuar pjesërisht nga kundërshtimi i Real Madridit.

Në fund, Tebas komentoi edhe çështjen e procedurës ndaj tij në Gjykatën Administrative të Sportit, duke përmendur edhe presidentin e Real Madridit, Florentino Perez, për të cilin tha me ironi se disa persona flasin për “eliminimin” e tij nga posti, ndërsa procesi ende nuk ka një zhvillim të qartë.