BYD planifikon të hyjë në Formula 1 me ekipin e vet
Prodhuesi kinez i automjeteve elektrike, BYD, po shqyrton mundësinë për t’u futur në gara automobilistike të nivelit të lartë, duke përfshirë Formula 1 dhe Kampionatin Botëror të Rezistencës.
Interesi i BYD vjen në një moment kur automobilizmi po evoluon drejt sistemesh hibride më komplekse, një fushë ku kompania ka zhvilluar teknologji të vetën për automjetet elektrike dhe hibride. Një hyrje në Formula 1 do të shënonte pjesëmarrjen direkte të një prodhuesi kinez në një kampionat historikisht të dominuar nga skuadrat evropiane dhe amerikane.
Sipas të dhënave të Bloomberg, BYD po shqyrton dy opsione: krijimin e një ekipi nga e para ose blerjen e një skuadre ekzistuese. Kjo lëvizje do të ishte sfiduese financiarisht, pasi zhvillimi dhe operimi i një ekipi të Formula 1 mund të arrijë deri në 430 milionë euro për sezon.
Formula 1 ka prezantuar këtë sezon një rregullore të re të motorëve, që rrit përdorimin e energjisë elektrike në njësitë hibride, një reformë e cila synon të tërheqë prodhues të rinj si Audi, që debutoi këtë vit në kampionat.
Interesi për Formula 1 ka rritur popullaritetin e saj edhe në Kinë, ku Çmimi i Madh i Shanghait u rikthye në kalendar në 2024 pas katër vitesh mungesë për shkak të kufizimeve të pandemisë. Zhou Guanyu, i pari kinez në historinë e Formula 1 që debutoi në 2022, aktualisht është pilot rezervë i skuadrës Cadillac, një nga ekipet debutuese të këtij sezoni.
BYD, që ka shënuar rritje të shpejtë të shitjeve ndërkombëtare dhe kërkon të pozicionohet gjithashtu në segmentin e luksit, nuk ka konfirmuar publikisht planet e saj, por pjesëmarrja në Formula 1 mund të shënojë një hap të madh për praninë e industrisë kineze në nivel global në sportet motorike.