Letra e përbashkët me Vuçiç/ PD kërkon seancë dëgjimore me Ramën për editorialin mbi integrimin e Ballkanit në BE
Anëtarët e Partisë Demokratike ne Komisionin e Jashtëm, kanë thirrur Kryeministrin Edi Rama, në një seancë dëgjimore, lidhur me një editorial të përbashkët me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, mbi çështjet e integrimit.
Editoriali i publikuar në median gjermane propozon që vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen gradualisht në tregun e brendshëm të BE-së dhe në zonën Schengen pa qenë ende anëtare të plota të unionit.
Por sipas demokrateve kjo kërkesë bie ndesh me rezolutat e miratuara më parë nga Kuvendi i Shqipërisë për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian dhe kërkojnë sqarime nga kryeministri për këtë iniciativë.
Në kërkesë theksohet gjithashtu shqetësimi për ndikimin që mund të ketë kjo qasje në procesin e integrimit dhe në interesat strategjike të Shqipërisë dhe Kosovës.
‘Shqipëria është vendi që ka tërhequr më pak para në rajon nga procesi i Berlinit. Situata ndryshoi me miratimin e Plani Ekonomik të Rritjes, ku deri tani janë përftuar rreth 100 milionë euro fonde, nga të cilat 46.2 milionë euro për reforma strukturore, dhe 54.1 milion (grante dhe kredi) për investime në infrastrukturë. Mirëpo Shqipëria ka zbatuar vetëm 21 detyra/reforma nga 143 që duhet të përmbushë deri në 2027, apo 21 nga 70 që pretendohet se ka realizuar. Jo vetëm kaq por edhe fondet që janë dhënë për projekte në fushat e energjisë, digjitalizimit, dhe infrastrukturës, përkojnë me të njëjtët sektorë ku kanë shpërthyer dhe skandalet më të mëdha korruptive, me një numër zyrtarësh dhe bashkëpunëtorësh, përfshirë ish-zëvendëskryeministren, të vendosur nën akuzë nga SPAK.
Me qëllim shmangien e vëmendjes nga këto skandale, Kryeministri nuk mundet të ndryshojë kursin strategjik të Shqipërisë, e aq më pak, ta bëjë këtë në emër të vendit. Për më tepër ndërmarrja e kësaj nisme me Presidentin e Serbisë, i cili po ashtu përballet me kushtëzime të rrepta të BE, për shkak të miratimit të ligjeve anti-europiane dhe moslinjëzimit të politikës së jashtme dhe sigurisë serbe me atë të Bashkimit Europian, krijon dyshime të forta dhe arsyeshme se po keqpërdoret perspektiva europiane e rajonit si alibi e përbashkët për tí shpëtuar përgjegjësisë ligjore dhe politike, mbikëqyrjes europiane dhe kushtëzimeve të forta politike që mbart ky proces’, thuhet ndër të tjera në kërkesë.