Klubet që shitën më shumë fanella në 2025, kryesojnë gjigantër spanjollë, Messi lë pas Ronaldon

Viti 2025 konfirmoi edhe një herë fuqinë e madhe që kanë klubet elitare të futbollit jo vetëm në fushë, por edhe në aspektin komercial. Një nga treguesit më të qartë të popullaritetit global të skuadrave është numri i fanellave të shitura gjatë vitit.

Sipas të dhënave të publikuara nga ‘The Sun’, në krye të kësaj renditjeje qëndron Real Madridi, i cili gjatë vitit 2025 ka shitur rreth 3,133,000 fanella. Gjiganti spanjoll vazhdon të mbetet një nga markat më të fuqishme në botën e futbollit.

Pas tij renditet rivali i madh, Barcelona, me rreth 2,940,000 fanella të shitura. Podiumi plotësohet nga Paris Saint‑Germaini, që regjistroi rreth 2,546,000 fanella të shitura, duke konfirmuar ndikimin e madh që klubi francez ka në tregun global.

Në vendin e katërt ndodhet Bayerni i Mynihut me 2,377,000 fanella, ndërsa një surprizë e madhe është Inter Miami, që renditet i pesti me 2,166,000 fanella të shitura. Rritja e jashtëzakonshme e klubit amerikan lidhet kryesisht me efektin e superyllit Lionel Messi.

Në vendin e gjashtë pozicionohet klubi argjentinas Boca Juniors me 1,933,000 fanella, ndërsa Manchester Unitedi vazhdon të mbetet një nga markat më të forta në futboll, duke shitur 1,855,000 fanella gjatë vitit të kaluar.

Lista vijon me Flamengon në vendin e tetë me 1,677,000 fanella, ndërsa Chelsea renditet i nënti me 1,422,000 fanella të shitura.

Top 10 mbyllet nga klubi saudit Al‑Nassr me 1,281,000 fanella. Popullariteti i tij është rritur ndjeshëm në vitet e fundit falë pranisë së ‘yllit’ portugez, Cristiano Ronaldo.

Një nga krahasimet më interesante të listës lidhet pikërisht me dy ikonat e futbollit modern. Klubi i Messit, Inter Miami, ka shitur 2,166,000 fanella, që është dukshëm më shumë se 1,281,000 fanellat e shitura nga Al-Nassr i Ronaldos.

Diferenca është rreth 885 mijë fanella, çka tregon ndikimin e jashtëzakonshëm komercial që Messi ka pasur në tregun amerikan dhe global.

Megjithatë, prania e dy klubeve në këtë listë dëshmon se rivaliteti historik mes Messit dhe Ronaldos vazhdon të reflektohet edhe jashtë fushës së lojës, duke ndikuar drejtpërdrejt në industrinë miliardëshe të marketingut të futbollit.