Rodri në telashe, fqinjët e denoncojnë në polici për përdorimin e një droni ‘spiun’

Mesfushori i Manchester City-t, Rodri, është përfshirë në një situatë të pakëndshme jashtë fushës. Futbollisti spanjoll është denoncuar në polici nga disa fqinjë të tij në qendër të Manchesterit, të cilët e akuzojnë për shkelje të privatësisë përmes përdorimit të një droni.

Sipas raportimeve të ‘The Sun’, fituesi i ‘Topit të Artë’ për vitin 2024 është parë duke drejtuar dronin nga ballkoni i apartamentit të tij luksoz në një ndërtesë të lartë në qendër të qytetit. Banorët e zonës janë shprehur të shqetësuar, duke pretenduar se pajisja fluturuese ka kaluar shumë pranë dritareve të tyre.

Një nga banorët ka treguar për gazetën se situata ka krijuar shqetësim në familjen e tij. “Jetoj me partneren time në një kat të lartë dhe gjëja e fundit që pret të shohësh ndërsa po shikon televizor është një dron vetëm një metër larg dritares”, është shprehur ai.

I njëjti person shtoi se bashkëshortja e tij është shumë e shqetësuar nga kjo situatë. “Një nga avantazhet e të jetuarit në një kat kaq të lartë është se askush nuk mund të të shohë, por tani po ndihemi të bezdisur nga Rodri dhe droni i tij”, ka deklaruar banori.

Ndërkohë, Greater Manchester Police ka konfirmuar për Daily Mail se janë duke u zhvilluar verifikime lidhur me këtë rast për të kuptuar nëse ka pasur apo jo shkelje të rregullave për privatësinë.