Humbja e Atalantës ndaj Bayern-it ‘zhduk’ shpresat e Italisë për një vend të pestë në Champions
Humbja e Atalantas ndaj Bayernit në ndeshjen e parë të 1/8-ave të UEFA Champions League mund të ketë pasoja të mëdha për futbollin italian. Disfata e skuadrës bergamaske rrezikon seriozisht shpresat që Serie A të sigurojë një vend të pestë në edicionin e ardhshëm të kompeticionit më të rëndësishëm europian për klube.
Sistemi i koeficientëve të UEFA-s shpërblen dy kampionatet më të suksesshme të sezonit me nga një vend shtesë në Champions. Aktualisht, Anglia e ka siguruar matematikisht një vend ekstra falë paraqitjeve shumë të mira të klubeve të saj në kupat europiane. Beteja për vendin e dytë zhvillohet mes GJermanisë, Spanjës dhe Italisë.
Pas humbjes së Atalantës, diferenca mes futbollit italian dhe atij gjerman është rritur ndjeshëm. Distanca në renditjen e koeficientëve është dyfishuar, duke kaluar nga 214 në rreth 500 pikë, një hendek që e bën shumë të vështirë rikuperimin në pjesën e mbetur të sezonit.
Tani shpresat e Italisë lidhen kryesisht me rrugëtimin e skuadrave të tjera në kupat europiane. Roma, Bologna dhe Fiorentina janë ende në garë në UEFA Europa League dhe UEFA Europa Conference League, por atyre u nevojitet një ecuri shumë e fortë deri në fund për të mbajtur gjallë shpresat e Serie A.
Në renditjen aktuale të koeficientëve, pas Anglisë kryesojnë Gjermania, Spanja dhe më pas Italia. Megjithatë, skuadrat gjermane dhe spanjolle kanë më shumë gjasa të avancojnë në fazat e mëtejshme të kompeticioneve.
Për këtë arsye, skenari më realist mbetet që edhe sezonin e ardhshëm vetëm katër skuadrat e para të renditjes finale në Serie A do të sigurojnë pjesëmarrjen në Champions League. Vendi i pestë, të paktën për momentin, duket më shumë si një mirazh për futbollin italian.