Flick, optimist pas barazimit në Angli: Në ‘Camp Nou’ do të shihni një Barcelonë tjetër
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, u shfaq i kënaqur pas barazimit 1-1 në fushën e Newcastle United, në sfidën e zhvilluar në ‘St James' Park’. Goli i barazimit erdhi në momentet e fundit falë talentit të ri Lamine Yamal, i cili realizoi me goditjen e fundit të takimit nga 11 metra.
Edhe pse skuadra angleze dominoi për pjesën më të madhe të lojës dhe katalanasit u dukën të lodhur në minutat e fundit, rezultati i barabartë i jep mundësi Barcelonës që të luajë gjithçka në ndeshjen e kthimit në ‘Camp Nou’.
“Ne kemi zhvilluar shumë ndeshje në një periudhë të shkurtër dhe disa lojtarë sapo po rikthehen nga dëmtimet. Marc Bernal dhe Pedri po rikthehen pas një kohe pa aktivitet. Sigurisht që duhet të përmirësohemi, por rezultati është gjëja më pozitive. Pas disavantazhit 1-0 ishte fantastike që arritëm të reagonim dhe të merrnim barazimin. Në ndeshjen e kthimit do të shihni një Barcelonë ndryshe”, – deklaroi Flick.
Tekniku gjerman pranoi gjithashtu se skuadra e tij pati vështirësi në menaxhimin e topit. “Humbnim shumë topa dhe kjo është pikërisht ajo që dëshiron Newcastle. Megjithatë jam shumë i kënaqur me paraqitjen në mbrojtje; dy qendërmbrojtësit bënë një punë shumë të mirë”, shtoi ai.
Sa i përket gjendjes fizike të skuadrës, Flick theksoi se tani është momenti për rikuperim dhe përgatitje për ndeshjen e radhës në La Liga, që do të zhvillohet të dielën.
Ndërkohë, për mesfushorin Pedri, trajneri i Barcelonës u shpreh se duhet kujdes me minutat e tij, pasi këtë sezon ka kaluar dy dëmtime. “Duhet ta menaxhojmë me kujdes. Kundërshtarët e sulmojnë shpesh, sepse ai është lojtari që kontrollon lojën dhe di të luajë edhe nën presion”, përfundoi Flick.