Giorgia Meloni: Italia duhet të veprojë me kujdes dhe unitet në krizën e Lindjes së Mesme

Nga Alba Kepi

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka referuar këtë mëngjes në Parlamentin italian mbi krizën e fundit në Lindjen e Mesme, duke nënvizuar rëndësinë e përgjegjësisë, unitetit kombëtar dhe koordinimit ndërkombëtar. 

“Jemi përballë një prej krizave më komplekse të dekadave të fundit”, tha Meloni, duke bërë thirrje që debati politik të shmangë polarizimin dhe të fokusohet në veprime konkrete. Ajo siguroi se qeveria italiane nuk është “izoluar” në Evropë dhe po vepron intensivisht në koordinim me partnerët ndërkombëtarë dhe liderët e Lindjes së Mesme dhe të Gjirit.

Kryeministrja kujtoi edhe përvojën e saj gjatë agresionit rus ndaj Ukrainës, duke treguar se është e mundur të mbash identitetin politik dhe të bashkëpunosh për interesin kombëtar në kohë krize. “Shpresoj që Italia të flasë me një zë të vetëm në këto javë të vështira”, tha ajo, duke bërë thirrje për bashkëpunim midis qeverisë dhe opozitës.

Meloni identifikoi mbështetjen e Iranit për grupet terroriste, përfshirë Hamas-in dhe Hezbollah-in, si një faktor kryesor të destabilizimit në Lindjen e Mesme. Ajo paralajmëroi se avancimi i programit bërthamor iranian dhe kapaciteti i mundshëm i raketave me distancë të gjatë mund të kërcënojë direkt sigurinë e Italisë dhe të Evropës, duke rrezikuar gjithashtu regjimin ndërkombëtar të mosproliferimit bërthamor.

“Kemi nevojë të jemi të kujdesshëm, sepse jetojmë në një botë ku duhet të zgjedhim mes opsioneve të këqija”, tha Meloni, duke theksuar se qeveria po ndjek një qasje të kujdesshme për të mbrojtur qytetarët italianë, pa u përfshirë në veprime ushtarake të panevojshme.

Ajo shprehu edhe ngushëllime për viktimat civile, duke dënuar “humbjen e nxënëseve në një shkollë në Minab, Iran”, dhe duke kërkuar që të vihen shpejt drejtësia dhe përgjegjësitë për këtë tragjedi.

Meloni paraqiti tre fusha kryesore të veprimit të qeverisë italiane:
Diplomacia dhe koordinimi ndërkombëtar; Italia ka krijuar një koordinim të ngushtë me Francën, Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar për të ndarë informacion dhe për të harmonizuar strategjitë. Qeveria ka kërkuar të ruajë jetën e civilëve gjatë veprimeve ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit dhe vazhdon përpjekjet për zgjidhje diplomatike.

Siguria dhe mbrojtja e qytetarëve italianë; Deri tani janë rimpatriuar mbi 25,000 qytetarë italianë nga zona e krizës, duke u dhënë përparësi personave në transitet e vështira dhe atyre në situata të rrezikuara. Italia ka dërguar gjithashtu njësitë e saj të mbrojtjes ajrore dhe një njësi detare në Qipro, duke siguruar partnerët europianë dhe qytetarët në rajon.

Mbrojtja ekonomike dhe monitorimi i çmimeve; Qeveria po ndjek me kujdes çmimet e energjisë dhe të ushqimeve për të parandaluar spekulimet. Për këtë qëllim janë aktivizuar mekanizma si “accise mobili” për karburantet dhe sistemi “Mr. Prezzi” për monitorimin e produkteve jetike. Për çmimet e energjisë, një task-force e ARERA-s monitoron situatën, ndërsa qeveria ka miratuar masa për të ulur në mënyrë strukturore kostot për familjet dhe bizneset.

Meloni nënvizoi se qeveria ka përforcuar mbikëqyrjen e objektivave të ndjeshme dhe po monitoron rreziqet e mundshme të terrorizmit të brendshëm, përfshirë mundësinë e veprimeve nga “qeliza të fjetura” apo individë të vetëdijshëm si “ujqër të vetëm”. Komiteti Kombëtar për Rendin dhe Sigurinë dhe Komiteti i Analizës Strategjike Antiterror janë në mbledhje permanente.

Kryeministrja ripërsëriti se Italia nuk është në luftë dhe nuk ka ndërmend të hyjë në një konflikt të ri. Për përdorimin e bazave amerikane në territorin italian, vendimi i fundit i takon Parlamentit dhe deri tani nuk ka kërkesa konkrete për veprime të tilla.

Mesazhi për qytetarët italianë

Në përfundim, Meloni i bëri thirrje qytetarëve italianë dhe partnerëve të kenë besim në qeverinë e saj: “Italia do të veprojë me seriozitet, përkushtim dhe koordinim. Ne do të mbrojmë interesat kombëtare, qytetarët dhe stabilitetin në një rajon kaotik, duke u bazuar mbi diplomaci, mbrojtje dhe solidaritet ndërkombëtar”.

Pasdite Kryeministrja italiane do të referojë dhe në Dhomën e Senati në Parlamentin italian.