Banorët e Baks-Rrjollit në protestë para SPAK, godasin me vezë godinën: Duam drejtësi...

Banorët e Baks Rrjollit në Shkodër kanë zhvendosur protestën e tyre para Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) në Tiranë, duke kundërshtuar ndërtimin e një resorti turistik në atë që ata pretendojnë se është toka e tyre e trashëguar brez pas brezi.

Kjo është hera e dytë brenda pak javësh që banorët i drejtohen SPAK-ut.

Ata kanë depozituar një kallëzim penal për veprat e “uzurpimit të pronës” dhe “korrupsionit”, pasi se leja për zhvillimin e resortit është dhënë në bazë të dokumenteve të falsifikuara dhe në shkelje të ligjit.

LEXO EDHE: VIDEO-SYRI TV/ Banorët e Baks-Rrjollit sërish në protestë, në mbështetje aktivistë nga qytete të ndryshme

Me pankarta në duar ku shkruhej “Toka e trashëguar brez pas brezi” dhe “Ne besojmë tek SPAK”, protestuesit kërkuan vëmendjen e organeve të drejtësisë.

Një përfaqësi e tyre, së bashku me avokatët, u futën në ambientet e brendshme të institucionit për të kërkuar një takim me prokurorët e çështjes.

Një prej protestuesve u shpreh se kjo ishte hera e tretë që paraqiteshin dhe ende nuk kishin marrë asnjë përgjigje nga SPAK apo prokuroria e Shkodrës, duke kërkuar vetëm drejtësi.

Tensioni ishte i lartë, teksa një tjetër banor deklaroi prerë: “Tash ka ardhur koha, duam drejtësi, nuk ka më muhabete. O ata në burg, o ne në burg. S’ka rrugë tjetër më.”

LEXO EDHE: Mbrojnë tokën, qytetarë nga Durrësi e Vlora krah banorëve të Baks Rrjollit

Po ashtu, një tjetër qytetar me prona në Vlorë, kritikoi legjislacionin për pronat, specifikisht ligjin 133/2015, i cili sipas tij ka lënë pa trajtuar mbi 7200 dosje, duke e cilësuar Velipojën një “perlë” që nuk duhet të tjetërsohet.

Deklarata e banorëve:

Banori 1: “Akoma s’kemi marrë përgjigje as nga SPAK, as nga prokuroria e Shkodrës. Deri tani. Tani kërkojmë përsëri mos po na gjejmë ndonjë drejtësi. Për të tretën herë që paraqitemi këtu.”

Banori 2 shton: “Ne duam drejtësi. Tani ka ardhur koha, duam drejtësi, nuk ka më muhabete. Se muhabete e shumta kanë rënë të tëra nga ana jonë. Ne duam drejtësi. Na jepni tokat tona. O ata në burg, o ne në burg. S’ka rrugë tjetër më.”

Banori 3, i cili vjen nga Thethi i Shkodrës, thotë: “Unë kam ardhur vetëm për njerëzit tanë. Çështjen e kam edhe në Strasburg. Kanë shumë prona në Shqipëri, por dosjet janë shpërthyer nga mikrobi dhe nuk ka avancim. Janë tërë ato dosje në Shqipëri që presin drejtësi.”