'Rasti Balluku, shembull i korrupsionit të lartë qeveritar', Muçollari: Imuniteti politik po mbron krimin

Gligels Mucollari, anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike, i ftuar ditën e sotme në emisionin “Kafe Shqeto”, ka komentuar situatën aktuale të qeverisjes dhe fenomenin e korrupsionit në nivelet më të larta të shtetit.

Ai theksoi se problemi kryesor nuk është vetëm perceptimi i qytetarëve mbi korrupsionin, por fakti që ky perceptim është i mbështetur nga realiteti, duke u reflektuar në çdo fushë të jetës publike, nga shërbimet bazë deri te aferat e mëdha të zbulura gjatë viteve.

Mucollari u ndal veçanërisht te përpjekjet e drejtësisë për të ndjekur penalisht zyrtarë të lartë, duke përmendur rastin konkret të Belinda Balluku.

Sipas tij, sfida më e madhe e ditës sonë është imuniteti që po tenton t’i jepet korrupsionit, duke penguar veprimin e drejtësisë përmes ndryshimeve ligjore dhe sulmeve ndaj institucioneve të pavarura.

Ai theksoi se korrupsioni në Shqipëri ka karakter sistemik dhe është i lidhur ngushtë me strukturat qeverisëse, duke shndërruar çdo mekanizëm shtetëror në një mjet për të menaxhuar zgjedhjet, për të ruajtur pasuritë dhe për të dobësuar ekonominë dhe jetën e përditshme të qytetarëve.

Sipas Mucollarit, ky fenomen nuk është vetëm një problem moral apo ligjor, por një kërcënim i drejtpërdrejtë për barazinë, perspektivat ekonomike dhe zhvillimin e vendit, duke e lidhur drejtpërdrejt me aktivitetet kriminale dhe bandat që operojnë në të gjithë territorin.

Në këtë kontekst, Mucollari bëri thirrje për një angazhim më të madh qytetar dhe institucional për të luftuar korrupsionin, duke theksuar se çdo cikël zgjedhor i ardhshëm do të jetë vetëm një pasqyrim i kontratës mes qeverisë dhe korrupsionit nëse nuk ndërmerren masa konkrete sot.

Deklarata e plotë:

"Që ky është elementi i parë që që lidh mënyrën e qeverisjes me korrupsionin. Është perceptimi i njerëzve. Dhe perceptimi jo më kot ka lindur, pasi ju shfaqur në çdo fushë të jetës, në çdo lloj shërbimi publik apo të themi afere të dëgjuar nga qytetarët.

Shkojmë më tej më pas. Më tej dhe në fakt është dhe për t'u përgëzuar puna e drejtësisë, që po tenton ta çojë deri në fund edhe kërkesën për arrestimin e zonjës Balluku, është lufta ndaj korrupsionit të lartë qeveritar.  Dhe këtu pastaj kemi të bëjmë me akte konkrete, me afera konkrete dhe jo vetëm me perceptim.

Tani, cili është problemi që kemi sot dhe dhe problemi që ne duhet të luftojmë ditën e sotme, kohën e tashme, nesër në protestë apo në protestat e ardhshme? Është pikërisht imuniteti që po tenton t'i jepet korrupsionit të të nivelit të lartë të qeverisjes.

Duke sulmuar drejtësinë, duke vendosur artifica apo ndryshime ligjore për t'i lidhur duart, për të kufizuar punën e drejtësisë, kur ndërkohë nga krahu tjetër kemi të bëjmë me një korrupsion të përmendur tashmë në të gjitha raportet ndërkombëtare të Bashkimit Europian, por dhe të dhe në të, Departamentit të Shtetit Amerikan.

Kemi të bëjmë me një korrupsion sistemik, që do të thotë pjesë e sistemit, e lidhur më pas me të gjitha elementët kriminalë, qoftë edhe me aktivitete të jashtëligjshme, kthehet në një mekanizëm shumë të fortë për të menaxhuar zgjedhjet, për të ruajtur paratë dhe patjetër, në një mënyrë apo një tjetër, për të varfëruar edhe jetën e shqiptarëve çdo ditë e më shumë, pasi është e provuar tashmë që një korrupsion në niveleve të tilla, përveç se shkatërron mundësinë e çdo qytetari për të qenë i barabartë në shtetin e tij, ai prish dhe perspektivat, perspektivat e çdo lloj biznesi dhe çdo lloj rritje ekonomike.

Kështu që është korrupsioni është i lidhur ngushtë me të gjitha aktivitetet kriminale, është i lidhur ngushtë tashmë me qeverisjen, i lidhur ngushtë në mënyrë integrale me mënyrën e qeverisjes dhe ka ardhur si pasojë pikërisht e gjenezës, siç e thashë dhe më përpara, gjatë ditës së zgjedhjeve, pasi për sa kohë dita e zgjedhjeve është një kontratë mes korrupsionit apo mes bandave dhe qeverisë, atëherë dhe katërvjeçari i ardhshëm është thjesht zbatimi i kësaj kontrate dhe do të ketë gjithmonë e më shumë edhe korrupsion".