Goditet anija e tretë në Ngushticën e Hormuzit - 2 dronë bien afër aeroportit të Dubait, 4 të plagosur

Një anije e tretë mallrash është goditur në ngushticën e Hormuzit nga një “predhë e panjohur”, njoftuan Operacionet Tregtare Detare të Mbretërisë së Bashkuar - UK Maritime Trade Operations- (UKMTO)

Sipas raportimit, në orën 02:05 GMT, (rreth orës 03:05 në Shqipëri)  u konfirmua se anija ishte goditur rreth 93 kilometra në veriperëndim të Dubait. Ekuipazhi raportohet se është “i sigurt dhe në gjendje të mirë”, ndërsa nuk ka pasur ndikim në mjedis.

Më herët gjatë së mërkurës, UKMTO njoftoi se një tjetër anije ishte goditur pranë brigjeve të Emirateve të Bashkuara Arabe, ndërsa një anije tjetër po evakuohej pas një sulmi në veri të Omanit, në zonën e Strait of Hormuz.

Ndërkohë katër persona u plagosën pasi dy dronë 'ranë në afërsi' të aeroportit ndërkombëtar të Dubait, njoftoi Zyra e Medias së Dubait.

Sipas njoftimit, një shtetas indian pësoi lëndime të moderuara, ndërsa dy shtetas nga Gana dhe një nga Bangladeshi kanë marrë plagë të lehta.

Autoritetet shtojnë se trafiku ajror po vijon të funksionojë normalisht, shkruan BBC.