Zhulali: Rama po mbron veten nga aferat korruptive, vetëm presioni i fortë mund ta detyrojë të largohet…

Drejtoresha e Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Partinë Demokratike, Ilda Zhulali, në një intervistë për Syri TV me gazetaren Armela Ferko, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përdor mbrojtjen ndaj bashkëpunëtorëve të tij si një mënyrë për të shmangur përgjegjësinë politike dhe përballjen me drejtësinë.

Sipas saj, vendimet e fundit të Ramës, përfshirë qëndrimin ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, tregojnë se kryeministri po vepron për të mbrojtur veten nga akuzat për afera korruptive.

Zhulali theksoi se zhvillimet politike në vend dhe presioni ndërkombëtar po e vendosin qeverinë përballë sfidave të mëdha, ndërsa opozita kërkon dorëheqjen e Ramës dhe krijimin e një qeverie kujdestare që do të përgatiste vendin për zgjedhje të parakohshme.

Ilda Zhulali: Edi Rama është duke i bërë sfidë gjithkujt, mjafton që ai ta ketë veshur veten me mburojë ndaj të gjitha aferave korruptive dhe këtu zonja Balluku është thjesht personi që është pengesa e fundit për të shkuar politikisht, po flas, për të shkuar drejtpërdrejt tek ai vetë. Kështu që nuk është thjesht një mburojë që ai po i bën asaj si individ, por është një shkallë që ai do ta heqë për çdo institucion të drejtësisë apo për heqjen e një përgjegjësie politike që do të çonte çdo njeri tek vendosja e tij përpara drejtësisë edhe për te kërkesa normale që po e bëjmë të gjithë që ai të dorëhiqet dhe që vendi të shkojë në një zgjidhje politike që do ishte për përgatitjen për zgjedhje të parakohshme përmes një qeverie kujdestare.

Me vendimin e fundit që mori për zonjën Balluku, që në fakt ne të gjithë në Shqipëri ishim pak a shumë të bindur që kjo do të ishte zgjedhja e tij, por ndoshta në Bashkimin Europian ka ende njerëz që besojnë që Edi Rama është i sinqertë në premtimet e tij për të zbatuar reforma, për të vendosur standarte europiane në Shqipëri. Me këtë vendim të fundit, ai edhe njëherë heq maskën nga fytyra e tij dhe tregon që ai tashmë ka marrë plotësisht trajtat e një autokrati dhe vetëm një kërcënim shumë i fortë jashtë, pra një presion shumë i fortë nga jashtë dhe një lëvizje shumë e fortë brenda e gjithë qytetarëve dhe opozitës së bashku do ta bëjnë të mundur, janë të vetmet mënyra për ta bërë atë që të largohet nga detyra.

Por ai nuk ka asnjë, si të thuash, pikë ku mund të frenojë, nuk ka një kufi, sepse tani është mbërthyer laku në fund. Përpara kësaj ne pamë edhe përpjekjen e fundit që ai bëri bashkë me Vuçiçin, sepse të dy janë në një krizë të brendshme politike, të vështirë, ku i kërkuan bashkarisht Bashkimit Europian që të ndërpresë proceset e anëtarësimit të plotë për vendet e Ballkanit dhe ta kthejë marrëdhënien tonë vetëm në një marrëdhënie tregtare, vetëm e vetëm që Shqipërisë dhe Serbisë t'i hiqen kushtet politike. Dhe sigurisht kjo gjë as nuk ka gjetur vend dhe as nuk do të gjejë vend. Përkundrazi, ai po vazhdon të marrë përgjigje të drejtpërdrejta nga BE. Sot ishte një tjetër zyrtar i lartë gjerman, Peter Beyer, që është edhe reporter në Bundestag për Ballkanin Perëndimor, i cili, siç e tha dhe vetë, është në vazhdimësi të një vizite zyrtare që ai ka zhvilluar me ministrin e jashtëm gjerman Wadeful kur erdhi në Shqipëri, por kontaktet me palët kanë vazhduar dhe ai sot ka ardhur për të vazhduar atë presion që ka nisur që në nëntor.