Kompania satelitore kufizon aksesin në pamjet e luftës në Iran

Planet Labs, një ofrues kryesor komercial i imazheve satelitore në kohë reale, njoftoi të hënën se do të kufizojë më tej aksesin në fotot e konfliktit në Iran, shkruan CNN.

Kompania, e cila ka kontrata me Departamentin e Mbrojtjes të SHBA-së dhe aleatë të tjerë të SHBA-së, tha se pamjet e Iranit dhe vendeve përreth, përfshirë vendet e Gjirit si Emiratet e Bashkuara Arabe, nuk do të ishin të disponueshme për abonentët deri 14 ditë pasi të ishin bërë. Videot nga vendet fqinje të Iranit më parë ishin të kufizuara në publikimin e tyre pas katër ditësh.

Operatorët perëndimorë të satelitëve shpesh kufizojnë publikimin e imazheve nga zonat e luftës, përfshirë Ukrainën dhe Gazën, për të parandaluar kundërshtarët që t'i përdorin ato për të monitoruar situatën në fushën e betejës, shpjegon CNN.

“Kjo masë synon të parandalojë aktorët armik nga përdorimi i të dhënave më të fundit për të vlerësuar menjëherë dëmet në fushën e betejës”, tha Planet Labs, duke shtuar se vendimi u mor si pjesë e angazhimit të tyre për sigurinë e personelit aleat dhe të NATO-s, si dhe të civilëve në terren.

Imazhet satelitore kanë provuar të jenë një mjet i rëndësishëm për gazetarët që mbulojnë konfliktin.Javën e kaluar, CNN dhe media të tjera përdorën imazhe satelitore nga Planet Labs për të vërtetuar se një sulm ajror vdekjeprurës në një shkollë në Iranin jugor u krye pothuajse njëkohësisht me sulmet në një bazë të Gardës Revolucionare aty pranë. Regjistrimet u bënë të disponueshme për gazetarët vetëm pesë ditë pas incidentit.

Ky përfundim, së bashku me prova të tjera, i shtyu ekspertët e armëve të vlerësonin se Shtetet e Bashkuara ishin pothuajse me siguri përgjegjëse për sulmin. Presidenti Donald Trump ka sugjeruar, pa prova, se Irani përdori një raketë amerikane Tomahawk për të sulmuar shkollën. Komanda Qendrore e SHBA-së tha se po hetonte incidentin.

Planet Labs ka kontrata të gjera me Departamentin e Mbrojtjes të SHBA-së dhe së fundmi fitoi një kontratë të re, vlera e së cilës mund të arrijë deri në 151 miliardë dollarë, sipas një deklarate të kompanisë.