‘Shqipëria pa busull gjeopolitike’, Kedhi: Mungesa e vizionit strategjik reflektohet në xhepat e qytetarëve!
Në një kohë kur rendi botëror po ndryshon dhe zonat e influencës po ripërcaktohen, Shqipëria gjendet pa një strategji të qartë gjeopolitike dhe të sigurisë kombëtare.
Kjo mungesë orientimi, jo vetëm që e bën vendin të cenueshëm në arenën ndërkombëtare, por ka edhe pasoja direkte dhe të rënda ekonomike për qytetarët, të cilët përballen me një treg të pakontrolluar dhe rritje abuzive të çmimeve.
I ftuar në edicionin e mesditës në Syri Tv, Nikola Kedhi nga Departamenti ‘Brain Gain’ në PD tha se Shqipëria sot nuk ka një gjeostrategji të përcaktuar, ndryshe nga periudha para vitit 2013, kur rruga drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Europian ishte e qartë dhe e mbështetur nga hapa konkretë.
Sipas tij, politika e jashtme ka funksionuar në shërbim të interesave të një individi të vetëm, duke lënë pas dore interesin kombëtar. Si shembull i kësaj politike përmendet iniciativa e "Ballkanit të Hapur", e cila, për Kedhin, dëmtoi interesat e Shqipërisë dhe Kosovës, duke favorizuar Serbinë.
Mungesa e një vizioni strategjik reflektohet drejtpërdrejt në xhepat e qytetarëve, veçanërisht në tregun e karburanteve. Kedhi pohon se ky treg në Shqipëri nuk është i lirë, por kontrollohet nga një grup i vogël importuesish, të cilët vendosin çmimet sipas dëshirës dhe pa asnjë kontroll nga autoritetet shtetërore.
‘Ndërsa çmimet në bursa rriten, ato reflektohen menjëherë në tregun shqiptar; por kur çmimet ndërkombëtare ulen, në Shqipëri ato nuk lëvizin’, ku Kedhi e konsideroi si abuzive për konsumatorin.
Çdo shtet do duhet të ketë një strategji të qartë të politikës së jashtme, të sigurisë kombëtare dhe të orientimit të vet, se në cilën anë, cilës anë i përket. Sidomos në kohëra të tilla, si këto që po jetojmë, ku po ndryshon rendi botëror, po vendosen zonat e influencës, çdo vend që nuk është i qartë se në cilën anë qëndron. Shqipëria jo pak herë ka rrezikuar në momentin, në momentet përgjatë historisë së saj kur janë përcaktuar zonat e influencës, qoftë pas Luftës së Dytë Botërore apo në momente të tjera. Shqipëria nuk e ka sot një qartësi gjeopolitike ose nuk ka sot një gjeostrategji. Në qoftë se deri para vitit 2013 ishte mjaft e qartë se ku qëndronte Shqipëria, u integrua në NATO nga qeveria Demokrate e atyre viteve, në vitin 2009, qëndronte krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ishte e qartë për integrimin e vet në Bashkimin Europian dhe bënte hapa konkret për këtë anëtarësim. Ndërsa pas vitit 2013 kemi një paqartësi për shumë aspekte të politikës së jashtme në Shqipëri, sepse politika e jashtme ka funksionuar ose ka qenë në funksion të një individi të vetëm, që është kryeministri. Dhe politika jonë e vetme e jashtme ka qenë, unë ju jap ç'të doni nga Shqipëria, më lini të sundoj rehat.
Kemi përgjatë dekadës së kaluar një braktisje të procesit të Berlinit, i cili kishte bekimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe një fokus tek Ballkani i Hapur, i cili dëmtonte interesat e Shqipërisë dhe vendi i vetëm që përfitonte ose interesat e vetme ishin ato serbe. Vendi i vetëm që përfitonte ishte Serbia. Dëmtonte Kosovën, por dëmtonte dhe interesat ekonomike, interesat kombëtare të Shqipërisë. Ajo që mungon në këto tre mandate e pak të qeverisë socialiste, është një gjë shumë e thjeshtë, por në të njëjtën kohë dhe shumë thelbësore, që çdo politikë do duhet të drejtohet nga interesi kombëtar. Interesi kombëtar është interesi primar i çdo veprimi, i çdo politike, i çdo vendimmarrjeje që do duhet të ketë çdo qeveri në Shqipëri. Dhe kjo ka munguar në mënyrë të plotë në këtë dekadë të fundit.
Sa i përket rritjes së çmimit, sërish është e pajustifikuar. Nuk rritet çmimi në mënyrë të menjëhershme, sepse nuk blihet përditë. Domethënë, ka rezerva e kështu me radhë, siç po bëjnë të gjithë vendet e tjera. Ka më pas politika lehtësuese e tjerë, në mënyrë që konsumatori të, të mos ndikohet menjëherë, të paktën. Ndaj nuk është aq e thjeshtë rritja e çmimit. Abuzimi me rritjen e çmimit, pastaj me pretekste, është shumë i thjeshtë, sepse ndodh menjëherë. Ndaj do duhet të bëjmë këtë dallim thelbësor. Natyrisht që do duhet të ketë masa lehtësuese, siç ndodh në çdo rast krize. Situata në Shqipëri është shumë më e komplikuar se kaq. Ashtu siç në luftën e Ukrainës nuk ndodhi rritja e çmimeve për shkak të luftës në të gjithë Europën, por pati abuzime dhe pati arsye të tjera sepse u rritën çmimet.
Përgjithësisht sundon edhe në, edhe në Shqipëri por dhe në vende të tjera ekziston vetëm një version që u jepet qytetarëve për, edhe për ndodhitë ekonomike, që është versioni i majtë, që ndodhi lufta atje dhe u rritën çmimet. Çmimet rriten në mënyrë të vazhdueshme në qoftë se ndryshon politika monetare. Mjafton që të marri masa lehtësuese me uljen e taksave, lehtësimin që i bëhet edhe bizneseve dhe në përgjithësi aktorëve të tregut, në mënyrë që ata të kenë mundësi të veprojnë, qoftë me marzhin e fitimit e tjerë, pa ndikuar konsumatorin në fund. Sepse është shumë e vështirë më pas t'i kthesh çmimet dhe të bësh ndryshimet e tjera. Dhe merren të gjitha këto masat e mëparshme, qoftë lehtësirat që vijnë nga qeveria, qoftë masat që marrin vetë sipërmarrjet, me rezervat që mund të kenë e tjerë me radhë, dhe më pas, me inventarin e kështu, dhe më pas shkohet tek rritja e çmimeve. Në Shqipëri ndodh e kundërta, rriten çmimet të parat edhe pastaj këto çmime që rriten nuk ulen më, dhe barrën që e mban është gjithmonë konsumatori.