Kërcënoi Trump/ Çfarë dimë për Ali Larijani-n, njeriun më me ndikim në Teheran
Edhe pse Ali Larijani nuk mund ta kishte zëvendësuar Ali Khamenein dhe nuk mban asnjë pozicion në këshillin e përkohshëm udhëheqës, statusi i tij aktual e bën atë një nga objektivat kryesorë për eliminim, për shkak të pushtetit të madh që ai zotëron.
Shefi i sigurisë së Iranit, Ali Larijani, lëshoi një kërcënim të fshehtë ndaj Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, të martën, duke e paralajmëruar atë të ketë kujdes që të mos eliminohet dhe duke thënë se Teherani nuk kishte frikë nga "kërcënimet e tij boshe".
"Irani nuk ka frikë nga kërcënimet tuaja boshe. Edhe ata më të mëdhenj se ju nuk mund ta eliminojnë kombin iranian", tha Larijani në një postim në X.
"Kujdesu për veten që të mos eliminohesh", shtoi Larijani.
Ndërsa është e diskutueshme nëse Teherani ka mjetet apo kapacitetin për t’i mbajtur fjalët e tij, statura e jashtëzakonshme e Larijanit brenda regjimit nuk duhet nënvlerësuar.
Ndërsa Larijani nuk do të kishte mundur kurrë të pasonte të ndjerin Ali Khamenei si udhëheqës suprem, ky veteran iranian i pushtetit është rishfaqur si një figurë qendrore në establishmentin e sigurisë së Teheranit, pasi Mojtaba Khamenei, u emërua ajatollah i ri.
Afërsia e tij me Mojtaba Khamenein u bë edhe më e dukshme pasi Larijani festoi emërimin e tij nga Asambleja e Ekspertëve, duke thënë në X se vendimi, i kishte lënë Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara “në dëshpërim”.
Larijani shihet gjerësisht si pjesë e rrethit të ngushtë që rrethon udhëheqësin e ri suprem, së bashku me kreun e gjyqësorit Gholam-Hossein Mohseni-Ejei, kryetarin e parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf, Ahmad Vahidi, i cili është emëruar komandant i përgjithshëm i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike më 1 mars, dhe zyrtarin e lartë të sigurisë dhe komandantin e selisë qendrore Khatam al-Anbiya, Ali Abdollahi.
Komentet e tij e kanë vendosur atë gjithashtu në qendër të luftës së fjalëve në rritje midis Teheranit dhe Uashingtonit.
Më herët këtë javë, Larijani paralajmëroi se siguria në Ngushticën e Hormuzit nuk do të stabilizohej për sa kohë që konflikti me SHBA-në dhe Izraelin vazhdonte, duke sugjeruar se rruga strategjike e naftës mund të bëhej e pakalueshme.
Kjo vërejtje shkaktoi një reagim të ashpër nga Trump, i cili paralajmëroi se Irani do të goditej “20 herë më fort” nëse do të përpiqej të bllokonte rrugën ujore.
Trump më parë i kishte hedhur poshtë kërcënimet e Larijanit, duke thënë se nuk e dinte se kush ishte zyrtari iranian. “Nuk kam idenë se për çfarë po flet, kush është. Nuk më intereson fare”, tha Trump, duke shtuar se Irani tashmë ishte detyruar të tërhiqej.
Larijani kishte deklaruar më parë se Trump duhet të “paguajë çmimin” për sulmet SHBA-Izrael ndaj Iranit dhe paralajmëroi se Republika Islamike nuk do ta linte presidentin amerikan vetëm pas vrasjes së Ali Khameneit.
Larijani ka kërcënuar gjithashtu me hakmarrje të madhe kundër SHBA-së dhe Izraelit.
Të dy "kanë djegur zemrën e kombit iranian dhe ne do t'i djegim të tyret në këmbim", tha Larijani pas vdekjes së Khameneit.
Ai paralajmëroi se forcat e armatosura të Iranit do të reagonin shumë më ashpër. "Ata duhet ta dinë se kjo nuk është çështje sulmi dhe largimi", shtoi ai.
Nga buron pushteti i Larijanit?
Larijani, 67 vjeç, shërben si sekretar i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare dhe konsiderohet si një nga figurat më të shquara në aparatin politik dhe të sigurisë së Iranit.
Një ish-komandant në Trupat e Gardës Revolucionare Islamike, ai shërbeu si shef i shtabit të IRGC-së gjatë Luftës Iran-Irak.
Në vitet e fundit, Larijani ka përfaqësuar Khamenein në menaxhimin e marrëdhënieve me Rusinë, Kinën dhe vendet arabe të Gjirit, në vend të Presidentit Masoud Pezeshkian. Ai udhëtoi për në Oman, përpara një raundi të fundit bisedimesh me Uashingtonin për të përcaktuar kuadrin dhe kushtet e Teheranit.
Pasi Hezbollahu dhe forcat e tjera shiite të përfaqësuara nga ky grup dështuan ta pengonin Izraelin, Khamenei e caktoi Larijani-n për të menaxhuar marrëdhëniet me Libanin dhe Jemenin.
Ky veprim u interpretua si një sinjal drejtuar komandantit të Forcës Quds, krahut të operacioneve të jashtme të IRGC-së, pasi Larijani është një figurë civile.
Roli i Larijanit në vrasjet gjatë protestave të fundit ishte aq i rëndësishëm, sa administrata Trump e përfshiu atë në listën e saj të sanksioneve.
Midis viteve 2005 dhe 2007, Larijani u emërua sekretar i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare nën Presidentin Mahmoud Ahmadinejad dhe mbikëqyri dosjen bërthamore të Iranit. Ai dha dorëheqjen ose u shkarkua për shkak të mosmarrëveshjeve me Ahmadinejadin, duke u rikthyer në këtë pozicion më 5 gusht 2025.
Larijani shërbeu si kryetar i parlamentit iranian për 12 vjet, nga viti 2008 deri në vitin 2020, dhe ishte një negociator kyç në bisedimet bërthamore të Iranit me fuqitë botërore, duke luajtur një rol qendror në Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPA) të vitit 2015.
Ai drejtoi gjithashtu transmetuesin shtetëror të Iranit nga viti 1994 deri në vitin 2004 dhe shërbeu si ministër i kulturës dhe udhëzimit islamik nga viti 1992 deri në vitin 1994. Ai u përpoq të kandidonte dy herë për president, por Këshilli i Gardianëve e hodhi poshtë kandidaturën e tij të dyja herët.
Familje e fuqishme e 'besimtarëve të vërtetë'
Larijani vjen nga një familje e shquar klerike. Babai i tij ishte një klerik i rangut të lartë, dhe vjehrri i tij, Morteza Motahhari, ishte një teoricien i rëndësishëm revolucionar dhe ndihmës i ngushtë i Ajatollah Ruhollah Khomeini. Vëllai i tij, Sadeq Larijani, shërbeu si kreu i gjyqësorit të Iranit për një dekadë.
Në filli të viteve 2020, emrat e vëllezërve Larijani u lidhën me akuza për korrupsion, duke përfshirë grabitje tokash, ryshfet dhe pronësi të 63 llogarive bankare personale që përmbanin miliarda tomanë.
Në vitin 2021, Larijani u ngarkua me detyrën e negocimit të një marrëveshjeje strategjike 25-vjeçare me Kinën me vlerë disa miliardë dollarë.
Në një intervistë televizive duke iu referuar konfliktit 12-ditor të verës së kaluar, Larijani pretendoi se izraelitët "më telefonuan gjatë asaj lufte dhe më thanë se kisha 12 orë për të lënë vendin ose do të më vrisnin".
Pasi BE-ja e shpalli IRGC-në si një organizatë terroriste, Larijani shkroi në X se "ushtritë e vendeve që morën pjesë në masën e fundit të bllokut 27-anëtarësh kundër IRGC-së, konsiderohen terroriste" sipas një rezolute parlamentare.
"Pasojat e këtij veprimi do të bien mbi vendet evropiane që ndërmorën hapa të tillë", paralajmëroi ai.
Larijani mban një doktoraturë në filozofi, thuhet se është përqendruar në mësimet e Immanuel Kantit.
Shumë nga të afërmit e tij jetojnë në Perëndim, përfshirë një nip që është profesor universiteti në Mbretërinë e Bashkuar dhe një vajzë që dha mësim në SHBA, derisa grupet opozitare iraniane e detyruan të linte pozicionin e saj akademik./ Euronews.