SYRI TV/ Shqipëria humb tjetër gjyq në arbitrazh, Omni Bridgeway do sekuestrojë asete 13 mln euro të qeverisë
Pasi ka humbur 130 milionë euro në arbitrazh ndaj biznesmenit italian, Françesko Beketi, qeveria e Edi Ramës do të detyrohet të paguajë edhe 13 milionë dollarë për një tjetër kompani pas një gjyqi të humbur në arbitrazh.
Një gjykatë amerikane në Uashington ka vendosur se kompania Omni Bridgeway ka të drejtë të konfiskojë asetet e qeverisë shqiptare pasi ka fituar një gjyq arbitrazhi me vlerë 13 milionë dollarë.
Vendimi i Gjykatës në Uashington, është publikuar nga media amerikane, të cilat shkrujanë se kompania Omni Bridgeway, do të konfiskojë pasuri dhe asete të qeverisë shqiptare, për të zbatuar vendimin e arbitrazhit që tani vlen rreth 13 milionë dollarë.
Konfiskimi do të bëhet për llogari të kompanisë GBC Oil Co Ltd. Kjo shoqëri fitoi ndaj Shqipërisë një gjyq në gjykatën ndërkombëtare të arbitrazhit në vitin 2020. Gjyqi i fituar nga GBC Oil lidhej me vendimin e QEverisë Shqiptare për zgjidhjen e njëanëshme të kontratës koncesionare për fushat e naftës Gorisht-Kocul, Cakran-Mollaj, Ballsh-Hekal dhe Delvinë.
Në vitin 2017, Albpetrol vendosi të rinacionalizonte fushat e naftës, të cilat tani ishin nën pronësinë e GBC Oil, duke argumentuar se kompania nuk i kishte përmbushur detyrimet e saj sipas marrëveshjes së koncesionit dhe kishte miliona dollarë borxhe të papaguara ndaj shtetit.
Pas shtetëzimit, GBC Oil iu drejtua Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Cyrih, duke kërkuar 110 milionë dollarë kompensim nga qeveria shqiptare.
Në korrik 2020, Gjykata hodhi poshtë shumicën e pretendimeve të GBC Oil, por i dha Shqipërisë një gjobë prej 12.7 milionë dollarësh, të cilën qeveria duhej t'ia paguante GBC Oil si kompensim për të kompensuar rritjen e taksave pas marrëveshjes së koncesionit.
Fillimisht qeveria e raportoi çështjen si të fituar, por lajmi për gjobën u zbulua 4 vjet më parë kur GBC Oil kontraktoi kompaninë australiane Omni Bridgeay për procedurat e zbatimit.