Shkurti, muaji i pestë më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë në nivel global
Shkurti ishte jashtëzakonisht i ftohtë në Evropë, por u rendit si muaji i pestë më i ngrohtë në nivel global që nga fillimi i mbajtjes së të dhënave, sipas Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike Koperniku, të Bashkimit Evropian.
Temperatura mesatare globale e ajrit arriti në 13.26 gradë Celsius në shkurt, 0.53 gradë mbi mesataren e periudhës 1991-2020, tha shërbimi në raportin e tij mujor të publikuar të martën. Krahasuar me periudhën para-industriale 1850-1900, muaji ishte 1.49 gradë më i ngrohtë.
Pjesë të Evropës Perëndimore dhe Afrikës së Veriut u goditën nga një seri stuhish intensive dhe reshjesh të dendura shiu. Franca, Spanja, Portugalia dhe Maroku përjetuan përmbytje të mëdha që shkaktuan vdekje, dëme të konsiderueshme dhe humbje të jetesës për shumë njerëz.
Përmbytjet prekën edhe rajone të tjera në mbarë botën, përfshirë Australinë, Mozambikun dhe Botsvanën.
Ngjarjet ekstreme të motit nxorën në pah ndikimet në rritje të ndryshimeve klimatike dhe nevojën për veprim global, tha Samantha Burgess, udhëheqëse strategjike e Copernicus për klimën.
Në Evropë, temperatura mesatare e tokës në shkurt ishte minus 0.07 gradë, pak nën mesataren e periudhës 1991–2020. Evropa Perëndimore, Jugore dhe Juglindore regjistroi temperatura mbi mesataren, ndërsa kushte më të ftohta se zakonisht u vunë re në Skandinavi, Shtetet Baltike dhe Rusinë veriperëndimore.
Dimri i Evropës në tërësi, që përfshinte periudhën dhjetor deri në shkurt, ishte ndër dy më të ftohtit e 13 viteve të fundit. Megjithatë, ai ishte ende 0.09 gradë më i ngrohtë se mesatarja e periudhës 1991-2020.
Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike Copernicus publikon rregullisht të dhëna mbi temperaturat globale të sipërfaqes, akullin detar dhe reshjet, bazuar në analiza të gjeneruara nga kompjuteri që integrojnë miliarda matje nga satelitët, anijet, avionët dhe stacionet meteorologjike në të gjithë botën./ DPA News.