Qeleshi: Politikat e dështuara të qeverisë po shkatërrojnë sistemin e burgjeve dhe dëmtojnë drejtësinë
E ftuar në emisionin "Kafe Shqeto", Joana Qeleshi, Kryetare e Shoqatës së Avokatëve Penalistë të Shqipërisë, foli mbi krizën e thellë që po përjeton sistemi i burgjeve në vend.
Ajo u shpreh se një numër alarmant i paraburgosurve po tejkalon çdo normë të pranuar ndërkombëtarisht, duke krijuar kushte që rrezikojnë kolapsin e plotë të këtij sistemi. Sipas Qeleshit, kjo situatë e rëndë vë në pikëpyetje funksionimin e drejtësisë, duke e bërë atë të paaftë të ofrojë një trajtim të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët.
Gjithashtu, ajo theksoi se ky kolaps përkthehet në një ngarkesë financiare të jashtëzakonshme për taksapaguesit, duke i sjellë ekonomisë një kosto të konsiderueshme për t’u përballur me këtë krizë të thellë që kërkon një zgjidhje urgjente.
Pjesë nga deklarata:
E drejta e Kuvendit për të dhënë ose mos dhënë autorizimin nuk lidhet me arsyet e themelit të çështjes. Pra, ka apo nuk ka prova, ka gjykuar mirë apo jo prokuroria deri në atë fazë. Ligji thotë që prokuroria, përpara se të shkojë në gjykatë, në qoftë se mendon që ndaj një personi që ka imunitet, duhet të caktohet një masë sigurimi arrest në burg ose arrest në shtëpi, dhe prandaj kërkesa është e tillë, sepse nuk është se ka dhënë ndonjë vendim gjykata. Kjo është një kërkesë e prokurorisë. Paraprakisht duhet të marrë autorizimin e Kuvendit. Dhe Kuvendi nuk ka kompetencën që të bëjë rolin e gjykatës.
Është gjykata ajo që do vlerësojë. Pra, nëse Kuvendi do të japë autorizimin, prokuroria do të duhet, pra SPAK-u do të duhet të shkojë në Gjykatën e Posaçme. Nuk është se mjafton autorizimi i Kuvendit. Dhe eventualisht, Gjykata e Posaçme mund të thotë që nuk ka nevojë për masë tjetër dhe nuk ta pranojë kërkesën. Kjo mund të ndodhë. Dhe vetëm Gjykata e Posaçme është ajo që vlerëson nëse kërkesa e prokurorisë për të rritur nevojat e sigurimit është e bazuar apo jo.
Nuk është një kompetencë e Kuvendit. Kuvendi ka kompetencën për të parë nëse kërkesa ka motive politike, sepse imuniteti ekziston për të mbrojtur opozitën gjithmonë. Pra, ka risk nga pushteti, i cili kontrollon edhe pushtetin gjyqësor, që të përdoret kundër teje. Kjo është logjika pse ekziston. E kam fjalën për çfarë është krijuar imuniteti. Domethënë, për këtë është, nuk është për të mbrojtur persona që konsiderohen në pushtet, sepse nuk mendohet që gjyqësori të jetë politik.
Dhe për këtë arsye, Kuvendi sheh vetëm nëse ka një prapavijë politike dhe nëse, le të themi, praktika që ka ndjekur prokuroria në këtë rast është ndryshe nga ajo që ndjek, pra, le të themi nëse të gjithë do të gjykoheshin në gjendje të lirë, në këtë rast kërkohet një masë sigurimi për të njëjtën situatë. Këtë është ajo që sheh Kuvendi. Kështu që, në këtë aspekt, unë mendoj që, për sa kohë kemi krijuar këto institucione të reja të riemërtuara në fakt, se kanë ekzistuar krimet e rënda dhe më përpara, po i është dhënë një emër tjetër dhe ka një besim të rritur të publikut për hir të së vërtetës te Prokuroria e Posaçme dhe gjykata, le t'i lihet gjykatës për të parë nëse do të ishte e nevojshme apo jo caktimi i një mase tjetër.
Personalisht mendoj që në këtë rast, SPAK-u ka vepruar, Prokuroria e Posaçme ka vepruar në fakt e matur. Dhe kjo do të ishte qasja që do të duhej të kishte në çdo rast, për hir të së vërtetës, sepse nuk ke pse shkon me masën arrest në burg apo arrest në shtëpi që në fillim. Pra, ke një përshkallëzim nëse është e nevojshme, sepse mund të mos jetë fare e nevojshme. Kështu që, në këtë rast, mendoj që kanë vepruar siç do të ishin rregullat normale të lojës në raport me nevojat e hetimit. Gjykua në fillim që ishte e nevojshme të merrej një masë pezullimi për shkak të ushtrimit të detyrës dhe rrezikut të dëmtimit të provave. Në një moment tjetër, për arsye që ata i kanë sqaruar dhe do të duhet të bindnin edhe gjykatën nëse do të jepej autorizimi, mendojnë që është e nevojshme një masë tjetër.
Nuk them që është e domosdoshme, pra jo domosdoshmërish duhet të shkojmë me idenë, sepse edhe kjo mund të jetë një ndër ato dëshirat populiste, por meqë situata është e tillë, atëherë patjetër dikë ta shohim në burg. Por ama procedura dhe procesi duhet të respektohen. Pra, në qoftë se dhe në parim, në të gjitha vendet autorizimet lëshohen me përjashtim të situatave ku dukshëm janë, le të themi, lëvizje politike të prokurorive dhe më tej janë institucionet e drejtësisë që duhet të bëjnë punën e tyre.