Ministrja e PD emëron `kunatën` e Edi Ramës në Bordin e Universitetit të Mjekësisë

Vendimi i ministres teknike të Arsimit, Mirela Karabina, për emërimin  e 4 persona të rinj në Bordin e Universitetit të Mjekësisë, ka shkaktuar një furtunë të vërtetë debatesh dhe kontestimesh, veçanërisht nga drejtuesit e dekanateve të ndryshëm. Deri më sot nuk është diskutuar për emrat e përzgjedhur nga Karabina por vetëm për ligjshmërinë apo jo të këtij vendimi. Por edhe në listën e Karabinës nëse sheh me vëmendje se cilët janë anëtarët e rinj të BUM-së duket se ka “problem” që pritet të ngjallin debat.

Me një letër urgjente drejtuar rektorit të UM, Arben Gjata, më datën 13 korrik, ministrja Karabina urdhëronte fillimisht zëvendësimin e dy anëtarëve të bordit, Ardiana Berberi dhe Linda Pustina me Daniela Nikën dhe Arben Pilacën.
Zëvendësimi i dytë, që duket të jetë përfundimtari, daton përpara tetë ditësh, më 9 gusht, kur me një tjetër urdhër kërkohet zëvendësimi i jo dy, por 4 emrave: Adriana Berberi, Zamira Gjini, Migena Drushku dhe Djana Ristani.

 Kështu emrat e përzgjedhur përfundimisht nga Karabina janë:

 1. Albana Fico (motra e Delina Ficos, ish-bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama) deri para pak kohe, ish nëndrejtoreshë e QSUT.

2. Daniela Nika, aktualisht nëndrejtoreshë e QSUT.

 3. Hari(Artan) Mullaj - prej disa kohesh drejtor i qendrës së botimeve të teksteve shkollore që varet nga MAS.

 4. Andrea Koxhaj

Tre të parët sipas informacioneve të besueshme rezultojnë si rekomandime të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, në karrierën e tyre nëpër institucionet shtetërore.

Sipas ligjit 80-2015 të Arsimit të Larte (neni 47, 48,49):

Bordi i Administrimit ka 7 gjithsej anëtarë. Ministria e Arsimit ka të drejtë të zgjedhë për UMT 4 anëtarë, kurse Senati zgjedh 3 (këta kanë mandat 5 vjeçar)

 Ata që zgjidhen nga ministria e Arsimit nuk u jepet mandate, duke lënë "hapësirë" për ndryshime sipas ministrit. Por më rastin e UMT çfarë ka ndodhur?

 Deri përpara planit të ministres teknike për këto emërime, kryetare e Bordit ka qenë Adriana Berberi. Sipas informacioneve minstria Karabina ka kërkuar  që ta heqë, por Berberi e ka shmangur këtë, duke kërkuar dorëheqje.

 Më pas nëpërmjet një shkrese Karabina ka zëvendësuar (emërime të Lindita Nikollës);

 Adriana Berberin, Migena Dushkun (që kishte zëvendësuar Linda Pustinën -leje lindje), Diana Ristanin dhe Zamira Gjinin.

Emërimi i anëtarëve të Bordit sipas ligjit 80-2015 neni 48, është kompetencë e ministrisë së Arsimit, por ka një interpretim të këtij ligji sipas të cilit, anëtarët duhen shkarkuar e me pas emëruar dhe jo zëvendësuar, si është vepruar në këtë rast.

 Sa i takon propozimeve për anëtarë të Bordit nuk ka asnjë kriter sipas ligjit, të jenë ekspertë të fushave akademike, menaxheriale, ekonomike e juridike.

Sipas informacioneve nga disa burime; e gjithe "lufta e emërimeve" për UMT është bërë, për emërimin e Administratorit të UMT, i cili sipas ligjit ka shume funksione të rëndësishme përsa i takon financave etj.

Ndërkohë pas gjithë kësaj, një nga anëtarët e emëruar nga Karabina ka dhënë dorëheqjen (Hari Mulla ose me emrin tjetër, Artan Mullai).

Syri.net