Pistoleta nga Mali i Zi shiteshin tek 'Fresku' në Tiranë, 2 të arrestuar, një në kërkim

Policia e Tiranës ka goditur një rast të trafikut të armëve nga Mali i Zi me qëllim shitjen, kryesisht në zonën e quajtur “Fresku”. Gjatë operacionit, u vunë në pranga shtetasit D. J., 31 vjeç, banues në Shkodër dhe F. Gj., 22 vjeç, banues në fshatin Domje.

“Automjeti që drejtonte 22-vjeçari dhe ku ishte pasagjer shtetasi D. J., u ndalua për kontrolle, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, në vendin e quajtur “Rrethi i Freskut”.

Nga kontrollet në automjet, u gjetën 6 armë zjarri (pistoleta SigSauer) të dyshuara të trafikuara nga Mali i Zi, me qëllim shitjen në këtë zonë.

Armët e zjarrit u sekuestruan bashkë me automjetin tip “Volksëagen” që drejtonte shtetasi F. Gj., si dhe me 4 celularë” informoi sot policia.

Në vijim të hetimeve rreth kësaj veprimtarie kriminale, u identifikua dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i dyshuar i të arrestuarve, shtetasi E. S..

Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetime për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.

Operacioni u kodua ‘Rotondo’