'Arsimi një nga dështimet më të mëdha të qeverisë'/ Studentja: Nuk kemi vetëm një krize akademike, por një krizë shprese
Një studente që mori fjalën në foltoren e Partisë Demokratike para Kryeministrisë akuzoi qeverinë për dështim në arsim dhe për largimin e të rinjve nga vendi.
Në fjalën e saj, ajo uroi fillimisht mësuesit për 7 Marsin dhe gratë për 8 Marsin, duke theksuar rolin e tyre në shoqëri, por shtoi se përtej urimeve, realiteti i arsimit në Shqipëri mbetet i vështirë. Sipas saj, mësuesit punojnë me paga të ulëta dhe në kushte jo dinjitoze, ndërsa shkollat dhe universitetet po boshatisen.
Studentja deklaroi se vendi po përballet me një “krizë shprese”, pasi shumë të rinj po largohen nga Shqipëria për mungesë mundësish, meritokracie dhe drejtësie. Ajo akuzoi qeverinë se me politikat e saj ka nxitur shpopullimin dhe largimin e rinisë.
Në fund të fjalës, ajo tha se Shqipëria ka nevojë për investim real në arsim dhe rini, duke theksuar se një vend që nuk mban të rinjtë e tij, rrezikon të humbasë të ardhmen.
Studentja:
Mirëmbrëma të dashur qytetarë. Më lejoni ta nis me një urim. Edhe pse jemi mbas 7-8 Marsit, ka disa njerëz në këtë vend që meritojnë gjithmonë respekt dhe mirënjohje dhe meritojnë që çdo ditë të kujtohen me përulësi. Urime 7 Marsin të gjithë mësuesve shqiptarë, atij profesioni fisnik që formon mendjen dhe karakterin e një kombi. Dhe urime 8 Marsin të gjitha grave shqiptare, grave që mbajnë familjet, që rrisin fëmijët, që sakrifikojnë çdo ditë për të ardhmen e këtij vendi. Por sot, pas urimeve, duhet të themi edhe një të vërtetë të madhe, sepse është e lehtë të bësh urime një herë në vit dhe është e lehtë të postosh një foto dhe të thuash, faleminderit mësuesve. Por t'i shohësh që profesionin e tyre e ushtrojnë në kushte aspak dinjitoze. Pikërisht ata që kanë në dorë të ardhmen e Shqipërisë.
Sot në Shqipëri, arsimi është një nga dështimet më të mëdha të kësaj qeverie. Jo sepse mësuesit nuk janë të përkushtuar, jo sepse nxënësit nuk janë të zgjuar, por sepse sistemi është lënë pas dore nga kjo qeveri dhe nga ai që qëndron në krye të saj. Mësues që punojnë me paga të ulëta, shkolla me kushte të papërgjegjshme, universitete që boshatisen dhe ndërkohë një brez i tërë po largohet nga ky vend. Ky është realiteti që nuk mund ta fshehë asnjë propagandë. Sot nuk kemi vetëm një krizë ekonomike, kemi një krizë shprese, sepse kur dështon arsimi, dështon e ardhmja e një kombi. Një shtet që nuk investon tek shkolla, nuk investon tek rinia, nuk investon tek mësuesit, është një shtet që po shkatërron vetë të ardhmen e tij.
Dhe rezultatet i shohim çdo ditë. Shkollat po boshatisen, klasat po mbyllen, fshatra të tëra mbeten pa nxënës, sepse përveç se nuk lindin më fëmijë, po ikin dhe ata që janë. Rinia shqiptare po largohet, po largohet nga vendi ku ka lindur, nga vendi ku ka ëndrra, nga vendi ku duhet të ndërtonte jetën e saj. Dhe kjo është tragjedia më e madhe që mund t'i ndodhë një kombi dhe që kjo qeveri e ka arritur me axhendë largimin e të rinjve nga vendi ynë, duke e kthyer vërtet në tragjedi shpopullimin.
Një vend pa rini, është një vend pa të ardhme. Sot aeroportet janë plot me të rinj që ikin, me diploma në duar, por pa shpresë në zemër, sepse nuk shohin mundësi, nuk shohin meritokraci, nuk shohin drejtësi. Dhe kur një i ri nuk sheh të ardhme në vendin e tij, ai nuk largohet vetëm për para, por për dinjitet. Prandaj ne jemi sot këtu për të thënë me zë të lartë se Shqipëria nuk mund të vazhdojë kështu. Edi Rama dhe kopjet e tij nuk mund të bëjnë ç'të duan me Shqipërinë. Nuk mund të kemi një shtet që flet për të ardhmen, ndërsa rinia po ikën.
Nuk mund të kemi një qeveri që flet për zhvillim, ndërsa shkollat po boshatisen. Një komb ndërtohet nga shkolla, nga arsimi dhe nga rinia. Nëse humbasim këto, humbasim gjithçka. Prandaj, sot ngremë zërin për të ardhmen e Shqipërisë. Për mësuesit që meritojnë më shumë se një urim në Facebook. Për studentët që meritojnë më shumë se një diplomë pa vlerë. Për të rinjtë që meritojnë një vend ku të jetojnë, jo një vend nga i cili të largohen. Sepse ne nuk pranojmë që Shqipëria të zbrazet, nuk pranojmë që ëndrrat e rinisë të largohen me avion. Ne duam një Shqipëri ku të rinjtë të ndërtojnë jetën e tyre këtu, sepse një vend që nuk mban rininë e vet, është një vend që po humbet të ardhmen. Dhe Shqipëria nuk meriton të humbasë të ardhmen e saj.