‘Reforma në drejtësi ka rënë’/ Burimi për Ballukun: Edi Ramës i kanë rënë komplet puplat në opinion
Reforma në drejtësi konsiderohet të ketë dështuar në objektivin e saj kryesor për të goditur nivelet më të larta të pushtetit.
I ftuar në TASK FORCE në SYRI TV, analisti Genc Burimi u shpreh se pavarësisht pritshmërive të mëdha dhe mbështetjes ndërkombëtare, drejtësia e re ende nuk ka arritur të prekë “majën e ajsbergut”.
Sipas Burimit, reforma u konceptua për të shkuar përtej rasteve të izoluara, si ai i ish-ministrit Tahiri, dhe për të arritur në “syrin e ciklonit” të pushtetit real.
Analisti kritikon qëndrimin e kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se ky i fundit përdor Kushtetutën si mburojë për të justifikuar veprimet e tij, me arsyetimin se “Kushtetuta ma lejon”.
Duke iu referuar nenit 73, i cili kërkon autorizimin e Kuvendit për arrestimin ose heqjen e imunitetit të një deputeti, Burimi u shpreh se ky nen shihet si një barrierë problematike që i jep shumicës parlamentare fuqinë për të bllokuar hetimet ndaj anëtarëve të saj.
Biseda në studio:
Meço: Uroj të kesh ndjekur edhe qëndrimin e Shkullakut, i cili në fakt e ka dëshmuar edhe në një editorial, vetëm pak minuta më parë. Edhe këtë që deklaroi Marashi tani. Pra, sytë mbeten në një mënyrë ose në një tjetër tek ndërkombëtarët për faktin se ata i kanë dalë për zot reformës në drejtësi. Ti si e sheh situatën?
Burimi: Po e shoh që sot fatkeqësisht kjo reformë në drejtësi ka rënë. Sepse siç u tha më parë, nga Marashi më duket, dhe nga Shkullaku po ashtu, që kjo reformë në drejtësi u bë sepse presupozohesh që të shkonte tek maja e ajsbergut, tek maja e pushtetit. Apo jo?
Sepse u tha mirë që parë që pa këtë reformë në drejtësi, u arrestua, u hetua, u ndëshkua Tahiri. Pra, gjëja e re e kësaj reforme, që të shkonte vërtet tek syri i ciklonit, në qendër të kraterit të vullkanit, aty ku është pushteti real dhe jo formal. Sot, nga gjithë ato që tha Rama, një gjë e tha bukur ai. Më lejon Kushtetuta, kështu që unë veproj siç dua vetë. Pra, unë dua të shoh të ardhmen, sepse mund të bëjmë emisione të plotë për gjëra morale. Dhe sot po të bësh një sondazh, dhe habitem pse s'bëjnë sondazhe, sot Edi Ramës i ka rënë komplet puplat në opinionin publik. Edhe tek të tjerët, mjafton të shikoni sot artikujt që botohen tek shtypi pro-qeverisë, shikoni poshtë çfarë thotë komentet, janë katastrofike kundra Edi Ramës. Kështu që nga ana morale, nuk duhet të qëlloj më mbi një ambulancë. Unë dua të shoh të ardhmen. Pra sot, më duket është neni 72 apo 73, duhet verifikuar, që thotë që drejtësia për heqje imuniteti apo për arrestim duhet të marrë lejen e kuvendit. Pra ky nen është problematik. Ashtu si në Kosovë, shohim sot që ka nene problematike dhe më të rënda. Pra unë këtu dua të shoh të ardhmen sot. A mund të ndryshohet ky nen? Edhe të thuhet që vetëm në rast se kërkesa bëhet me kërkesë të SPAK-ut, se drejtësia është e gjerë shumë. Mund të kesh një deputet për shembull që ka shkelur një fëmijë në rrugë me makinë. Në këtë rast nuk është SPAK-u, është prokuroria. Po të thuhet që kur është kërkesë e SPAK-ut, heqja e imunitetit është automatike. Dua të shoh të ardhmen.