‘Shqipëria nuk është ajo e Instagramit’/ Qytetari nga foltorja e PD: Realiteti shihet në spitale dhe në rrugë
Një qytetar që mori fjalën në foltoren e Partisë Demokratike para Kryeministrisë deklaroi se realiteti në Shqipëri është shumë larg imazhit që sipas tij, paraqitet në rrjetet sociale dhe në propagandën qeveritare.
Ai kundërshtoi narrativën se qytetarët nuk protestojnë sepse janë të lodhur apo të frikësuar, duke theksuar se shumë njerëz janë të vetëdijshëm për situatën në vend dhe zgjedhin të tërhiqen. Sipas tij, Shqipëria e vërtetë shihet në spitalet publike, në transportin e mbushur plot dhe në varfërinë e përditshme që përballen qytetarët.
Qytetari: Mediat e rreme kanë kohë që kanë dalë me narrativin ‘Populli i lodhur’ apo ‘Popull frikacak’ që nuk del nëpër protesta. Kjo nuk është e vërtetë. Njerëzit janë aq të vetëdijshëm dhe të ndërgjegjësuar, mbase nuk kapin as mirëqenien, madje as të drejtën e vet, ata kanë kapur neutralitetin dhe janë tërhequr. Dhe në një shoqëri ku qeveritari në thelb të punës së tij ka vjedhjen, në këtë shoqëri nuk është diçka në rregull. Prandaj, kemi 100 arsye për të mos dalë në protestë, por kemi dhe disa arsye të tjera për të dalë në protestë. Një nga këto arsyet janë që Shqipëria nuk është ajo Shqipëria e Instagramit apo Shqipëria e fjalës që kanë gjetur këta, e investimeve strategjike.
Shqipëria e vërtet është ajo e spitalit të QSUT ku njerëzit rrinë aty me orë të tëra për të marrë ilaçet apo diagnozën. Shqipëria e vërtet është ajo e autobusëve që janë mbushur plot, ose është ajo Shqipëria mbrapa pallateve ku shiten rrobat e vjetra të dorës së dytë. Kjo është Shqipëria e vërtet.