'Komisioni i Etikës fyen etikën e çdo shqiptari'/ Gjekmarkaj: Standard i dyfishtë në Kuvend, ndëshkohet opozita dhe mbrohen fyerjet

Deputeti i opozitës, Agron Gjekmarkaj, reagoi përmes një deklarate për mediat lidhur me vendimin për përjashtimin me 10 ditë nga punimet e Kuvendit të deputetëve Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu, duke e cilësuar atë si një akt të motivuar politikisht.

Sipas Gjekmarkajt, ky vendim tregon se i ashtuquajturi Komision i Etikës nuk funksionon më si mekanizëm për mbrojtjen e etikës parlamentare, por si një instrument për të goditur opozitën.

Ai kritikoi gjithashtu mënyrën se si komisioni, i kryesuar nga Ulsi Manja, reagoi ndaj situatave të fundit në sallën e Kuvendit, duke theksuar se ndërkohë që opozita u ndëshkua, nuk pati masa ndaj deklaratave fyese që, sipas tij, u përdorën gjatë debatit parlamentar. Gjekmarkaj përmendi edhe përplasjen mes Taulant Ballës dhe deputetes Albana Vokshi, duke e cilësuar gjuhën e përdorur ndaj saj si të papranueshme dhe jashtë çdo standardi të etikës parlamentare.

Sipas deputetit të opozitës, paradoksi qëndron në faktin se, sipas tij, personi që përdori gjuhë fyese nuk u ndëshkua, ndërsa ata që reaguan ndaj kësaj situate u përjashtuan nga punimet e parlamentit.

Gjekmarkaj akuzoi mazhorancën se po përdor rregulloren e Kuvendit sipas interesave të saj politike, duke ndëshkuar kundërshtarët dhe duke mbrojtur përfaqësuesit e vet edhe kur, sipas tij, ata shkelin normat e etikës parlamentare.

Në deklaratën e tij ai theksoi se kjo sjellje nuk ndihmon debatin demokratik, por rrit tensionet politike dhe përplasjet në parlament, ndërsa shtoi se opozita, sipas tij, po provokohet qëllimisht drejt konfliktit në vend që të zhvillohet një debat normal parlamentar.

Gjekmarkaj:

Vendimi për përjashtimin me 10 ditë nga punimet e Kuvendit të Gazment Bardhit dhe Klevis Balliut tregon qartë se i ashtuquajturi Komision i Etikës nuk është më një mekanizëm për të mbrojtur etikën parlamentare, por një instrument politik për të goditur opozitën. Nje komision qe fyen etiken e çdo shqiptari me nënshtrimin dhe pranimin e diktatit politik nga ana e tij! 

Ky komision, i kryesuar nga Ulsi Manja, zgjodhi të ndëshkojë opozitën, ndërkohë që heshti përballë një prej fyerjeve më të rënda që është dëgjuar në sallën e Kuvendit. Taulant Balla, arkitekti i kaosit dhe provokatori i situatës, i është drejtuar deputetes Albana Vokshi me një gjuhë brutale dhe denigruese, duke kaluar çdo kufi të etikës parlamentare.

Justifikimi se gjithçka u mbyll me një kërkim faljeje është një tjetër fyerje për inteligjencën e opinionit publik. Zoti Balla nuk kërkoi falje reale. Ai tentoi ta relativizojë deklaratën e tij, duke pretenduar në mënyrë absurde se numri “0900” qenka një numër i Bashkimit Europian. Kjo nuk është falje; kjo është një përpjekje për të mashtruar opinionin publik dhe për të shmangur përgjegjësinë! Nje  shpalosje mujsharie e arrogance totale u konsumua me këtë  akt!

Paradoksi është i qartë dhe i papranueshëm: ai që fyeu brutalisht një kolege nuk dënohet, ndërsa ata që ngritën zërin për këtë thyerje të çdo kodi etik ndëshkohen dhe përjashtohen nga salla e Kuvendit. Ky është standardi i dyfishtë që sot po imponohet në parlament.

Mazhoranca po sillet si një bandë politike që përdor rregulloren sipas interesit të saj e trajton ate si nevojtore politike, ndëshkon kundërshtarin dhe mbron të vetët, edhe kur ata shkelin çdo normë të etikës dhe të respektit njerëzor.

Kjo sjellje nuk synon debat idesh, por tension dhe përplasje. Opozita po provokohet qëllimisht drejt konfliktit fizik, në vend që të përballet me argumente dhe alternativa në një parlament normal.

Kur partia bashkohet me shtetin dhe institucionet përdoren si vegla politike, siç po ndodh sot, nuk është e vështirë të kuptohet pse klima politike degradohet në këtë mënyrë.

Megjithatë, opozita nuk do të tërhiqet nga detyra e saj për të mbrojtur interesin publik dhe demokracinë. Me 12 Mars do jemi shumë per ta deshmuar këtë !