Panik në Shkodër/ I kërkuari me rrezikshmëri të lartë qëllon me armë gjatë operacionit për kapjen e tij

Një incident është regjistruar pasditen e sotme në Shkodër, ku një automjet nuk i është bindur urdhrit të Policisë për ndalim, duke çuar në një ndjekje nga shërbimet policore.

Sipas informacionit paraprak, rreth orës 15:10, gjatë patrullimit në lagjen “Guerrile”, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi një automjeti me të cilin lëviznin dy shtetas, me qëllim kryerjen e kontrolleve. Drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, por ka shtuar shpejtësinë dhe ka kryer manovra të rrezikshme në rrugë.

Si pasojë, shërbimet e Policisë i janë vënë në ndjekje automjetit. Gjatë ndjekjes, dyshohet se pasagjeri në këtë automjet ka qëlluar një herë në ajër me armë zjarri dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Policia ka bërë të mundur kapjen e drejtuesit të automjetit, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur për momentin për shkak të konfidencialitetit të hetimit.

Ndërkohë, vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e pasagjerit që dyshohet se ka qëlluar me armë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.