SYRI TV/ Rama i kundërpërgjigjet SHBA-ve për Porto Romanon: I kanë bërë llogaritë gabim

Kryeministri Edi Rama i është kundërpërgjigjur kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke i paralajmëruar se pavarësisht kundërshtive të tyre, projekti i portit në Porto Romano do bëhet me çdo kusht. Rama i cilësoi si xhelozi dhe armiqësi tentativat për të bllokuar këtë projekt.

Nga SYRI TV

Pas publikimit të një emaili nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që i kërkonte kryeministrit Edi Rama anulimin e procedurave tenderuese për portin në Porto Romano, Edi Rama iu kundërpërgjigj sot, duke i cilësuar si qëllime dashakeqe që vijnë si pasojë e xhelozisë që ka sjellë ky projekt.

Ndërsa në email kryeministri njoftohej se “Një port i vogël në Durrës do të dështonte Korridorin e Tetë”, Rama u shpreh i vendosur për të vijuar me këtë projekt, duke folur me gjuhë kërcënuese.

Dhe duhet të them këtu dy fjalë për Porto Romanon, është një nga proceset më të ndërlikuar, ndoshta më i ndërlikuar që ne kemi bërë. Është një plan strategjik që ka krijuar edhe xhelozi. Xhelozitë janë të zakonshme mes vendesh që janë në stade të caktuara zhvillimi.Një proces shumë i sofistikuar me projektin e studios më të madhe në botë dhe me reputacionin më absolut në botë për ndërtimin e infrastrukturës dhe sidomos të asaj portuale e RoyalHaskoning nga Hollanda.

Një garë e jashtëzakonshme me pjesëmarrje nga të gjitha anët, por e monitoruar nga A-ja te Zh-ja nga konsulenti RoyalHaskoning përsëri dhe armiqësi ndaj projektit. Nuk do flas më shumë, por një gjë dua ta them këtu: Ata që e luftojnë projektin, ata që s’po lënë gur pa luajtur për ta bllokuar projektin, ne i dimë kush janë dhe i kanë bërë llogaritë gabim, sepse projekti do bëhet.

Unë nuk kam plan B vetëm për Bashkimin Europian, për çdo gjë tjetër jam te C-ja.

Kryeministri u shpreh i bindur edhe për hapjen e aeroportit të Vlorës, megjithëse kjo çështje është nën proces gjyqësor, për shkak konflikti pronësie.