Raporti i SPAK: Krimi i organizuar ka akses në porte e dogana shqiptare dhe europiane - Shqipëria vend për pastrimin e parave

Prokuroria e Posaçme SPAK evidenton në raportin vjetor për vitin 2025 se grupet kriminale kanë akses jo vetëm në portet dhe doganat e Shqipërisë por dhe në shtete të ndryshme të Europës. Hetimet kanë treguar se, në disa raste, janë përfshirë edhe punonjës të policisë, të cilët merrnin pjesë në shkëmbimin e përfitimeve të paligjshme duke ofruar mbrojtje ose duke dhënë informacion mbi kontrollet e forcave të rendit.

Sa i takon vitit 2025 SPAk evideton se trafiku i narkotikëve është ndërthurur me forma të tjera të korrupsionit, pastrimit të parave, duke rritur ndjeshëm rrezikshmërinë dhe kompleksitetin e grupeve kriminale, që veprojnë në Shqipëri. E ndërsa aktivitetin e kryejnë jashtë Shqipëria përdoret kryesisht për pastrimin e produkteve të veprës penale, si vend tranziti, rekrutimi dhe qendër koordinimi, e aktiviteteve kriminale kryesore.

Pjese nga raporti 

Gjatë vitit 2025, vihet re se, aktiviteti i grupeve kriminale ka shfaqur një nivel të lartë organizimi, specializimi dhe të shtrirjes ndërkombëtare, veçanërisht në trafikimin e kokainës dhe drogave të tjera drejt tregjeve të BE-së. Këto grupe kanë operuar përmes zinxhirëve të mirëorganizuar të furnizimit, transportit, magazinimit, shpërndarjes dhe transferimit të përfitimeve financiare, duke shfrytëzuar rrugët detare, ajrore, tokësore dhe infrastrukturën financiare ndërkombëtare.
Veprimtaria kriminale karakterizohet nga një ndarje e qartë e roleve, përdorimi i komunikimeve të enkriptuara, krijimi i subjekteve tregtare fiktive.

Po ashtu, trafiku i narkotikëve është ndërthurur me forma të tjera të korrupsionit, pastrimit të parave, duke rritur ndjeshëm rrezikshmërinë dhe kompleksitetin e grupeve kriminale, që veprojnë në Shqipëri, apo atyre që drejtohen ose dominohen nga shtetas me kombësi shqiptare, jashtë vendit. Vihet re se, shumica e aktiviteteve të rënda kriminale të këtyre grupeve zhvillohet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, ndërsa Shqipëria përdoret kryesisht për pastrimin e produkteve të veprës penale, si vend tranziti, rekrutimi dhe qendër koordinimi, e aktiviteteve kriminale kryesore.

Struktura operacionale e grupeve ishte gjysmë-hierarkike dhe drejtuesit koordinonin financimin dhe rrugët e kalimit ndërkombëtar, ndërsa anëtarët e tjerë ishin përgjegjës për transportin, magazinimin dhe shpërndarjen e drogës në nivel lokal. Pagesat kryheshin kryesisht me cash, përmes sistemeve informale të transferimit të pagesave (Havala) dhe përdorimit të kriptovalutave.

Të ardhurat shpesh maskoheshin përmes investimeve në kompani ndërtimi, subjekte tregtare të ndryshme, restorante dhe pasuri të paluajtshme. Komunikimi brenda rrjetit ishte i koduar nëpërmjet platformave të enkriptuara, duke përfshirë planifikimin e dorëzimeve dhe paralajmërimet për kontrolle.

Hetimet kanë evidentuar gjithashtu se, grupet kriminale të kontrolluara nga shtetas shqiptar kishin arritur të siguronin akses në porte dhe dogana përmes korrupsionit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shtete të ndryshme të Evropës. 

Hetimet kanë dokumentuar dhjetëra episode trafiku dhe qindra kilogramë kokainë, duke vënë në dukje rolet e drejtuesve, financuesve dhe pjesëmarrësve të tjerë në rrjet.

Kultivimi dhe trafiku i kanabisit
Hetimet kanë treguar gjithashtu se, kultivimi dhe trafiku i kanabisit mbeten ende aktivitete të përhapura tek grupet kriminale të drejtuara nga shtetas shqiptarë, shpesh në bashkëpunim me shtetas të huaj dhe me përfshirje të punonjësve të policisë. Kultivimi realizohej në parcelat e brendshme dhe sera të izoluara në zona rurale, të ndara sipas funksioneve të mbjelljes, tharjes dhe përpunimit.

Grupet kriminale përdornin banesa të marra me qira dhe sera të ndërtuara për këtë qëllim, ku për çdo parcelë kishte persona të caktuar për kultivimin e bimëve. Transporti bëhej përmes rrugëve alternative për të shmangur kontrollet kufitare, duke përdorur arka plastike dhe thasë të mëdhenj për paketimin dhe ruajtjen e drogës.

Kultivimi i kanabisit ka qenë i përqendruar kryesisht në, Malësinë e Madhe, Sarandë dhe zonën Tepelenë/Gjirokastër, ndërsa sasitë e konsiderueshme janë trafikuar drejt Greqisë, Malit të Zi, Turqisë, Finlandës dhe Zvicrës. Struktura e grupeve funksionon vertikalisht, me role të qarta, ku në krye qëndronte drejtuesi, financuesi, personat përgjegjës për kultivimin, transportuesit dhe shpërndarësit, ndërsa aktiviteti zhvillohet sipas fazave të qarta operacionale, mbjellje, kultivim, tharje, përpunim, transport dhe shpërndarje.

Pagesat për qira dhe shërbime kryheshin fshehurazi, me para në dorë (cash) ose transferime të maskuara, ndërsa komunikimi brenda grupit realizohet kryesisht përmes platformave të enkriptuara, duke siguruar koordinim të transportit dhe shpërndarjes. Hetimet kanë treguar se, në disa raste, janë përfshirë edhe punonjës të policisë, të cilët merrnin pjesë në shkëmbimin e përfitimeve të paligjshme duke ofruar mbrojtje ose duke dhënë informacion mbi kontrollet e forcave të rendit.

PASTRIMI I PARAVE
Nga analiza e rasteve të hetuara mbi veprimtarinë e grupeve të strukturuara kriminale gjatë viteve të fundit, evidentohet një model i integruar i pastrimit të parave, i lidhur ngushtë me aktivitete kryesore kriminale nga të cilat kanë burimin këto të ardhura kriminale, si trafiku i narkotikëve, trafiku i armëve, emigrimi i paligjshëm, trafikimi i qenieve njerëzore dhe skemat mashtruese financiare. Skemat e pastrimit karakterizohen nga diversifikimi i kanaleve të transferimit dhe maskimit të fondeve, duke përfshirë sisteme informale të transferimit të vlerave (Havala), përdorimin e kriptovalutave, qarkullimin intensiv të parasë në dorë (cash) dhe fragmentimin e transaksioneve për të shmangur raportimin financiar. Në disa raste konstatohet përdorimi i rrjeteve ndërkombëtare me nyje operacionale në disa shtete, ku ndahen funksionet e gjenerimit të të ardhurave kriminale, transferimit të tyre dhe riintegrimit në ekonomi përmes ndërmjetësve dhe strukturave mbuluese. Përdorimi i komunikimeve të enkriptuara dhe i ndërmjetësve të specializuar financiarë rrit nivelin e fshehtësisë dhe vështirëson gjurmimin e këtyre transaksioneve monetare. Tipare të përsëritura në raste të ndryshme përfshijnë përdorimin e subjekteve tregtare formalisht të ligjshme, si mbulesë për qarkullimin dhe riciklimin e fondeve, ku janë përfshirë zyra të këmbimit valutor, shoqëri transfertash parash, agjenci udhëtimi, subjekte ndërtimi dhe tregtare, si dhe struktura financiare jobankare. Këto aktivitete shërbejnë jo vetëm për depozitimin dhe shpërndarjen e shumave, por edhe për krijimin e dokumentacionit fiktiv. Një karakteristikë e veçantë ishte shpërndarja e përfitimeve brenda rrjeteve; personat që realizojnë transferimin dhe transportin e parave zakonisht përfitonin nga 3 deri 10% të shumës së dërguar, me normë mesatare të zakonshme rreth 5-6% të ndara mes koordinatorëve të vendit të origjinës dhe atyre në vendin pritës, ndërsa transportuesit fizikë marrin shpërblim më të ulët, rreth 1-5% ose pagesë fikse për çdo dërgesë.
Faza përmbyllëse e pastrimit përfshin investime në pasuri të paluajtshme, biznese me qarkullim të lartë cash dhe aktivitete tregtare me kontroll të brendshëm të dobët, duke synuar integrimin e të ardhurave kriminale në ekonominë formale. Në tërësi, rastet tregojnë kalimin nga modele sporadike drejt arkitekturave të qëndrueshme dhe shumanshme të pastrimit të parave, të mbështetura nga organizim i sofistikuar, bashkëpunim ndërkombëtar dhe instrumente financiare alternative.