Haxhiu: Vendimi i Osmanit për ta shpërndarë Kuvendin, jokushtetues - S'mund të thërras seancë
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përsëritur të hënën se beson që dekreti i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani për ta shpërndarë Kuvendin është jokushtetues dhe që përderisa të mos ketë një vendim nga Gjykata Kushtetuese, ajo nuk mund të thërrasë seancë.
Sipas saj, Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) do ta çojë shpejt në Gjykatën Kushtetuese këtë lëndë për shqyrtim.
“Vendimi i presidentes për ta shpërndarë Kuvendin për mua ka qenë befasi sepse është jokushtetues, është i ngutshëm dhe si të tillë do ta kundërshtoj edhe si kryetare e Kuvendit”, ka thënë Haxhiu.
Ajo tutje ka theksuar se nuk duhet të bëhet presion ndaj Kushtëtueses.
"Këtij vendimi nuk do duhej t'i gëzohej asnjë deputet sepse realisht është minim i punës së Kuvendit... thërras të gjithë që ta lënë Gjykatën Kushtetuese që ta bëjë punën e saj, sepse jam e bindur që në rrethana të tilla Gjykata mund të vendoset në presione nga kushdo", ka shtuar ajo.
Haxhiu ka deklaruar se tani pritet që Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dekretin që e ka quajtur jokushtetues të presidentes Osmani.
“Nëse ka dekret për shpërndaje të Kuvendit, Kuvendi nuk mund të vazhdojë punën por nëse ka masë të përkohshme nga Kushtetuesja rrethanat do të ndryshojnë”, është shprehur ajo.