Rama sfidon amerikanët për Porto Romanon dhe lavdëron Ballukun për rrugët e shembura nga korrupsioni

Edi Rama mbajti një fjalim të gjatë sot në mbrojtje të Belinda Ballukut.

Edhe pse tha se nuk merr askënd në mbrojtje, e gjithë fjala e tij ishte një mbrojtje e zjarrtë për bashkëpunëtoren e tij të ngushtë. Ai tha se Belinda Balluku ka sjellë ndryshime epokale në infrastrukturë.

Ndërkohë, Rama mbrojti pikërisht ato segmente rrugore që janë shembur nga korrupsioni, duke izoluar zona të tëra në vend.

“Këto vepra janë kryer në këto 6 vite. Siç u krye Orikum- Dukat apo tuneli i Llogarasë, siç flitet në oturakët e Çimbellinjëve. Korçë- Ersekë, tjetër vlerë e madhe e shtuar. Qukës- Qafë Plloçë, një gropë që na ngeli nga derdimeni me dy gishta. E bëmë fytyrën shollë me kreditorët që të na mbështesin. Ka përfunduar dhe ajo. Maliq- Llozhan, për të vazhduar me Rrugën e Arbrit dhe Thumanë-Kashar. Ministrja e Infrastrukturës u bë sebep si duke qëruar oriz, jo shpronësimet, jo përroi, jo lavazhi, jo dreqi me leje, jo ky me legalizim, një tjetër me proces legalizim, jo dreqërit dhe të bijtë që nxisnin ato protesta me bllokime. Bam bariu e bam i biri dhe ham Balliu dhe i biri, deri sa u bë Unaza e Madhe,” tha Rama.

Ndërkohë, ai sfidoi kreun e Dhomës Amerikane të Tregtisë për çështjen e portit të Porto Romanos.

Rama tha se ky projekt do të vazhdojë.

“Porto Romano është një nga proceset më të ndërlikuara. Një plan strategjik që ka krijuar edhe xhelozi, të zakonshme mes vendesh që janë në stade të caktuara zhvillimi. Një proces shumë i sofistikuar me projektin e studios më të madhe dhe reputacionin më absolut në botë … nga Holanda.

Ata që e luftojnë projektin e s’po lënë gurë pa luajtur për të bllokuar projektin, ne e dimë kush janë. I kanë bërë llogaritë gabim se projekti do të bëhet. Nuk kam plan B vetëm për BE-në.  Për çdo gjë tjetër jam tek C,” tha Rama.