Seri vjedhjesh brenda 3 ditësh dhe i dënuar më parë me burg, arrestohet 36-vjeçari në Tiranë
Në Tiranë, është arrestuar një shtetas, pas hetimeve të zhvilluara për një seri vjedhjesh. Ai dyshohet se gjatë tre ditëve të fundit ka kryer tre vjedhje të ndryshme.
Shtetasi i arrestuar, M. K., 36 vjeç, banues në Tiranë, është identifikuar si autori i vjedhjes së një biciklete elektrike më 6 mars, një varëseje më 7 mars dhe portofolit të një shtetasi më 8 mars, të gjitha ndodhur në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Hetimet kanë treguar se autori është një person i dënuar për vjedhje edhe më parë, dhe policia po punon për të zbardhur dhe hetuar të tjera vjedhje të mundshme që ai mund të ketë kryer. Materialet procedurale janë dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës për hetime të mëtejshme.
Njoftimi:
Tiranë/Vijon puna hetimore dhe policore, për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të vjedhjeve.
Arrestohet një shtetas që gjatë këtyre 3 ditëve, kreu 3 vjedhje.
I arrestuari, i dënuar më parë, për të njëjtin krim.
Menjëherë pas denoncimeve të qytetarëve, për raste të vjedhjes së pronës/pasurisë së tyre në territoret në juridiksion të komisariateve të Policisë Nr. 3 dhe Nr. 1, shërbimet e këtyre njësive organizuan punën për zbardhjen e autorësisë së rasteve.
Si rezultat, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga autori i dyshuar i 3 vjedhjeve, shtetasi M. K., 36 vjeç, banues në Tiranë.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas:
-më datë 06.03.2026, ka vjedhur 1 bicikletë elektrike, në Rrugën e Kavajës;
-më datë 07.03.2026, i ka vjedhur varësen, një shtetaseje, në bulevardin “Gjergj Fishta”;
-më datë 08.03.2026, i ka vjedhur portofolin, një shtetasi, në rrugën “Avni Rustemi”.
Vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer 36-vjeçari.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.