Vlora e paaksesueshme për personat me aftësi të kufizuar, Hysen Muhameti: Vetëm premtime boshe
Për personat me aftësi të kufizuar në Vlorë, lëvizja e lirë në qytet është një sfidë e përditshme dhe shpeshherë e pamundur. Pavarësisht kuadrit ligjor që garanton të drejta të plota, realiteti paraqet një panoramë krejt tjetër: një qytet i mbushur me barriera arkitektonike që i izolon dhe ua vështirëson integrimin social.
Kreu i Shoqatës së Para-tetraplegjikëve, Hysen Muhameti, denoncon se përveç disa rampave në bulevardin kryesor, pjesa më e madhe e Vlorës mbetet e paaksesueshme.
“Në Vlorë, me përjashtim të bulevardit kryesor dhe të një pjese të korsisë së biçikletave në Lungomare, absolutisht nuk ka infrastrukturë për personat me aftësi të kufizuar. Dhe në disa rrugë të qytetit që është tentuar të bëhet diçka, ato gradinot i kalojnë nga 10-15 cm, domethënë që nuk mund të kalojë një person me aftësi të kufizuar në mënyrë të pandërprerë” thotë Hysen Muhameti në një lidhje me ‘Kafe Shqeto’ në Syri Tv.
Investimet e shumta infrastrukturore dhe projektet e reja në qytet kanë anashkaluar plotësisht nevojat e kësaj kategorie. Sipas Muhametit, kërkesat e vazhdueshme drejtuar Bashkisë së Vlorës dhe institucioneve të tjera, përfshirë Avokatin e Popullit, kanë marrë vetëm “premtime boshe”
”Ne kemi folur në vazhdimësi qoftë me media, qoftë me institucionin e bashkisë në qytet, me përfaqësuesin e Avokatit të Popullit këtu po në qytetin e Vlorës, dhe siç ndodh në çdo rast, premtime vetëm boshe, absolutisht do të jetë ndonjë rast i rrallë që diku të sajohet ndonjë rampë, po dhe ato rampat e sajuara janë jashtë, jashtë çdo kushti teknik për ne.
Ato vendosen në mënyrë të papërshtatshme, se i vendosin në këndet e shkallëve ku nuk mund të kthehet dot dhe personi me aftësi të kufizuar me karrike me rrota për të hyrë në derën kryesore.
Dhe e dyta, këto institucione mund të numërohen vetëm me gishtat e dorës në Vlorë, që të jenë të përshtatura për të hyrë personi me aftësi të kufizuar”
Edhe në rastet e rralla kur janë ndërtuar rampa, ato janë vendosur në mënyrë jofunksionale, duke i bërë të papërdorshme. "Këto institucione mund të numërohen vetëm me gishtat e dorës në Vlorë,” thotë ai, duke iu referuar godinave të pakta të përshtatura.
Problemi nuk kufizohet vetëm tek barrierat fizike. Mbështetja financiare mujore, e cila varion nga 7,500 deri në 13,000 lekë, konsiderohet e pamjaftueshme për të mbuluar nevojat bazë. Ndërkohë, e drejta për transport publik urban falas mbetet e pazbatueshme për shkak të mungesës së mjeteve të përshtatura. Kjo shtresë e shoqërisë ndihet e privuar nga e drejta themelore për të lëvizur, për të kryer shërbime apo për t'u integruar në jetën e qytetit.
“Kemi jetuar me shpresën se do të bëhet diçka, përderisa qyteti po rregullohet, po investohet, po bëhet, por kur vete në vend, aty ku punohet, ai thotë mua nuk ma parashikon projekti, apo Lungomare nuk e kemi marrë në dorëzim këtu e 10 vjet që është bërë si Lungomare nga ata që e kanë ndërtuar’ thotë ai.
Të regjistruar zyrtarisht në qytet janë rreth 220 veta në qytet, rreth 160 veta janë nëpër bashkitë e tjera të, të qytetit.