‘Duhet të vrasim frikën’, Lapaj: S’ka më alibi për asnjë forcë politike të mos jetë në këtë shesh kundër Ramës!

Protesta e qytetarëve para Kryeministrisë, e cila ka hyrë në javën e saj të pestë, merr një dimension të ri pas vendimit të Prokurorisë, që e cilësoi atë si një të drejtë legjitime. Aktivisti dhe kreu i ‘Shqipëria Bëhet’, Adriatik Lapaj, një nga figurat kryesore të kësaj rezistence, në një intervistë për ‘Kafe Shqeto’, emisionin e mëngjesit në Syri Tv, tha se ky vendim jo vetëm që konfirmon ligjshmërinë e protestës, por gjithashtu detyroi autoritetet të kthenin materialet e sekuestruara, përfshirë karriget, të cilat ishin konsideruar “armë krimi”.

Në një kthesë ironike, Lapaj bëri të ditur se është kallëzuar për tre vepra penale, ku më e veçanta është ajo e “pushtimit të tokës”. “Nuk e kuptoj dot çfarë republike e mbaruar është kjo që ia pushtojnë tokën njerëzit me karrige,” u shpreh ai me sarkazëm.

Lapaj theksoi se qëllimi i protestës është pikërisht “të prishë qetësinë e Edi Ramës” dhe i vendosi kryeministrit një ultimatum publik. Duke iu referuar sloganit të protestës “Edi Rama o hajdut”, aktivisti tha se kryeministri ka vetëm dy rrugë: “Ose duhet të na çojë në gjykatë për shpifje, ose kjo shprehje do ta ndjekë gjithë jetën e tij tashmë, sepse me sa duket, e kanë vjedhur dhe dërrmuar këtë vend.”

Aktivisti bëri thirrje për një bashkim masiv të qytetarëve, duke lënë mënjanë ndasitë partiake dhe ideologjike. “Nuk ka më alibi për asnjë forcë politike të mos jetë në këtë shesh,” tha Lapaj, duke shtuar se kur qeveria sfidon hapur drejtësinë dhe komunitetin ndërkombëtar, përgjigja duhet të jetë një masivitet total qytetar.

Ai theksoi se çështja nuk është mbështetja për individë, por një detyrim qytetar për t’i dhënë fund “kohës së frikës” në vend.

Kjo e saktëson përfundimisht se protesta ishte e drejtë, kushtetuese, e sanksionuar nga kushtetuta jonë dhe nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut. Dhe çdo ndërhyrje që bëhet është e paligjshme. Dhe prokuroria vendosi të na kthente materialet, që i kishin sekuestruar, që ishin armët e krimit praktikisht. Karrige e me radhë. Dhe ne, nga ajo ditë kemi vendosur t'i rivendosim çdo natë dhe kemi vazhduar. Ne vendosim, këta vijnë me auto-botë të shumta, me dhjetëra policë. 100 policë kanë ardhur mbrëmë.

Mua më kanë kallëzuar sërish për tre vepra penale, ndër të cilat pushtimi i tokës. Nuk e kuptoj dot çfarë republike e mbaruar është kjo që ja pushtojnë tokën njerëzit me karrige, domethënë. Se s'e arrita ta kuptoj dot. Më kanë kallëzuar për tubim të paligjshëm, ndërkohë që ne kemi dërguar njoftim dhe prokuroria na ka dhënë të drejtë te posedimi i fundit. Dhe nga ana tjetër më kanë proceduar për prishje të rendit dhe qetësisë publike. Që do të thotë që ne në protestë për atë kemi ardhur, të prishim rendin dhe qetësinë e Edi Ramës. Nuk kemi ardhur për të heshtur. Ai bezdiset, se sa herë kalon, ne i themi një të vërtetë absolute, e cila është një shprehje shumë e thjeshtë: Edi Rama o hajdut. Tani ai dy rrugë ka, ose duhet të na çojë ne në gjykatë për shpifje, se po shpifim që i themi hajdut.

Patjetër që ne kemi një plan, i cili sigurisht që lidhet me pritshmërinë e asaj që po bëjmë. Sot partia e zotërisë shprehet për imunitetin e Belinda Ballukut. Dhe afati i përcaktuar nga ligji që parlamenti të shprehet, nga rregullorja e parlamentit, që parlamenti të shprehet për dhënien e autorizimit të prokurorisë, është këtë javë. Ai parlament të veprojë dhe të tregojë a ka legjitimitet apo jo, pra a do rreshtohet në krahët e drejtësisë, apo do rreshtohet në krahët e Edi Ramës dhe do i dalë kundër drejtësisë për dhënien e autorizimit për arrestimin e Belinda Ballukut.

Dhe nuk lidhet thjesht me një emër, lidhet me një standard që ka të bëjë me pandëshkueshmërinë. Kështu që ne jemi këtu duke pritur këtë vendim. E nga ana tjetër, për t'i dalë krah drejtësisë, dhe sigurisht ne besojmë që qytetarët, në momentin që Edi Rama do i dalë krah korrupsionit dhe hapur do ta sfidojë gjithë komunitetin ndërkombëtar, do duhet që të gjithë të jenë në shesh dhe këtu nuk ka më asnjë alibi për asnjë parti apo asnjë, asnjë qytetar faktikisht.

Fjala duhet të jetë e qytetarëve dhe në momentin që ai do sfidojë hapur drejtësinë dhe ndërkombëtarët, që janë garantët e kësaj reforme, mendoj që nuk ka më alibi për asnjë forcë politike të mos jetë në këtë shesh dhe ndasitë ideologjike apo dashuritë partiake janë të dorës së shtatë pastaj, nuk janë më të dorës së dytë. Dhe do duhet këtu një masivitet total, jo për Adriatikun. Realisht nuk është çështje që të na vijnë ne në mbështetje, nuk është tamam kështu. Unë jam i gatshëm dhe e kam thënë që në momentin që do ketë masivitet, të bëj dy hapa pas, sepse qëllimi ka qenë me ndërgjegjësuar këtë çështje.

Popull opozitar, duhet të ketë vetëm një masivitet njerëzish dhe duhet të ketë një përballje finale me këtë... me këtë makutëri, me këtë lloj babëzie. Gjëja më e rëndësishme e njeriut është që ta vrasë frikën. Po e vrau frikën pastaj nuk ka asnjë problem. Ne e kemi vrarë frikën, domethënë. Nuk ndjejmë frikë përballë tij dhe ajo që duam të injektojmë në popullatë kjo është. Dhe nuk është çështja thjesht te Edi Ramës, është çështja ndaj kujtdo që do vijë pas Edi Ramës. Domethënë, koha e frikës në këtë vend duhet të marrë fund.