Irani shpall djalin e Khameneit, Mojtaba, si udhëheqësin e ri suprem të vendit

Asambleja e Ekspertëve të Iranit njoftoi në një deklaratë të dielën se Mojtaba Khamenei është zgjedhur si udhëheqësi i ri suprem i vendit, disa ditë pasi Iran International raportoi për herë të parë të martën se Asambleja e Ekspertëve e kishte zgjedhur atë nën presionin e Gardës Revolucionare.

Anëtarët e organit klerikal përgjegjës për zgjedhjen e autoritetit më të lartë të Iranit e njoftuan vendimin të dielën .

Ngritja në detyrë e Mojtaba Khameneit shënon herën e parë që nga revolucioni islamik i vitit 1979 që udhëheqja supreme e Iranit ka kaluar nga babai tek djali. Është një zhvillim që ka të ngjarë të ndezë debat brenda Iranit në lidhje me shfaqjen e një sistemi dinastik në një shtet të themeluar posaçërisht për të përmbysur sundimin trashëgues pas shahut.

Ajatollah Ali Khamenei, i cili sundoi për 37 vjet, u vra në një sulm amerikano-izraelit në Teheran më 28 shkurt, në ditën e parë të luftës me Iranin.

Më herët Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se udhëheqësi i ardhshëm suprem i Iranit “nuk do të zgjasë shumë” pa miratimin e SHBA-së, ndërsa Teherani përgatitet të shpallë pasardhësin e udhëheqësit të vrarë Ali Khamenei.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të dielën se udhëheqësi i ardhshëm suprem i Iranit "nuk do të zgjasë shumë", nëse Teherani nuk merr më parë miratimin e tij.

“Ai do të duhet të marrë miratimin tonë”, tha Trump për ABC News. “Nëse nuk merr miratimin tonë, nuk do të zgjasë shumë.”

Komentet e tij erdhën ndërsa organi klerikal iranian përgjegjës për zgjedhjen e pasardhësit të udhëheqësit suprem të vrarë Ali Khamenei, u raportua se ka votuar dhe pritet të shpallë një emër së shpejti.

Më parë, ministri i jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, hodhi poshtë idenë e ndërhyrjes së SHBA-së në zgjedhjen e udhëheqësit të ardhshëm suprem të vendit.

“Ne nuk lejojmë askënd të ndërhyjë në punët tona të brendshme. Varet nga populli iranian të zgjedhë udhëheqësin e tij të ri”, tha Abbas  Araghchi për emisionin “Meet the Press” të NBC-së. Ai shton: “Është vetëm punë e popullit iranian dhe e askujt tjetër.”

Trump është cituar të ketë thënë se “ne duam dikë që do të sjellë harmoni dhe paqe në Iran” dhe se ai dëshiron të jetë i përfshirë në emërim, siç ishte rasti në Venezuelë pasi forcat amerikane kapën presidentin e atëhershëm Nicolás Maduro në janar.

Për shumë analistë, emërimi i Mojtaba Khameneit është një veprim simbolik i projektuar për ta bërë regjimin të duket ende i fortë dhe i vendosur të mos i nënshtrohet presionit perëndimor.

Kleriku 56-vjeçar nuk ka mbajtur kurrë një post të zgjedhur dhe as nuk ka mbajtur zyrtarisht një pozicion të lartë brenda qeverisë së Iranit. Ai e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij në qendër të pushtetit në Iran, duke mbetur kryesisht larg syrit të publikut.

I lindur në vitin 1969 në qytetin verilindor të Mashhadit, Khamenei u rrit brenda botës politike dhe klerike që doli pas revolucionit të vitit 1979. Si i ri ai studioi teologji në seminaret e Qomit dhe thuhet se mori pjesë në fazat e fundit të luftës Iran-Irak.

Ndryshe nga shumë figura në udhëheqjen e Iranit, Khamenei nuk ndoqi kurrë një post të zgjedhur ose një rol të shquar qeveritar. Në vend të kësaj, ai gradualisht u bë një prani me ndikim brenda zyrës së babait të tij, ku shihej gjerësisht si pjesë e një rrethi të vogël që menaxhonte aksesin politik te udhëheqësi suprem.

Gjatë viteve ai kultivoi marrëdhënie të ngushta me klerikë konservatorë dhe elementë të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), një lidhje që analistët thonë se forcoi pozicionin e tij brenda sistemit.

Emri i tij u shfaq publikisht gjatë zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale të vitit 2009, kur figura reformiste e akuzuan atë se kishte luajtur një rol në mbështetjen e goditjes së sigurisë që pasoi protestat masive.

Për mbështetësit e tij, Mojtaba Khamenei përfaqëson vazhdimësinë me vijën ideologjike të vendosur nga Ajatollah Ruhollah Khomeini dhe të ruajtur nga i ati. Për kritikët, ngritja e tij ngre pyetje të pakëndshme në lidhje me përqendrimin e pushtetit - dhe mundësinë e një udhëheqjeje të trashëgueshme në një shtet të themeluar në revoltë kundër monarkisë.

Kjo vjen ndërsa Irani ka kërcënuar të sulmojë objektet e naftës në vendet fqinje, pasi Izraeli goditi të paktën pesë centrale energjetike në dhe përreth Teheranit , duke e mbuluar qytetin me tym të zi dhe duke përshkallëzuar frikën se konflikti do të rezultojë në përçarje të konsiderueshme në ekonominë botërore.

«Nëse mund ta toleroni naftën me çmim më të lartë se 200 dollarë për fuçi, vazhdoni këtë lojë», tha një zëdhënës i IRGC-së të dielën.

SHBA-të u përpoqën të qetësonin tregjet ndërsa çmimet e naftës po rriten, duke u zotuar të mos e shënjestrojnë infrastrukturën energjetike të Iranit.

Një valë e re sulmesh iraniane goditi Gjirin Persik të dielën , me Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Bahreinin dhe Kuvajtin që të gjithë raportuan sulme. Arabia Saudite tha se kishte kapur 15 dronë; ndërsa sulmet në Bahrein shkaktuan "dëme materiale" në një impiant të rëndësishëm desalcimi.

Dy persona u vranë të dielën dhe 12 të tjerë u plagosën pasi një predhë ra mbi një vendbanim në Al-Kharj, një qytet në Arabinë Saudite, tha Mbrojtja Civile Saudite.