Shehi: Kjo ishte ndeshja jonë më e mirë, duhet të vazhdojmë kështu

Tirana u mposht 0-1 në shtëpi nga Elbasani në stadiumin ‘Selman Stërmasi’, në takimin e vlefshëm për javën e 27-të të Kategoria Superiore. Pas përfundimit të ndeshjes, trajneri i bardhebluve, Orges Shehi, u shpreh se skuadra e tij nuk e meritonte humbjen.

“Mendoj se në tërësi nuk meritonim ta humbnim ndeshjen, meritonim diçka më shumë. Tensioni është i madh dhe u ndëshkuam për një mosreagim në mbrojtje. Në fund provuam gjithçka për të barazuar”, tha Shehi.

Tekniku bardheblu theksoi se pavarësisht rezultatit, paraqitja e ekipit ishte pozitive. “Kjo është ndeshja më e mirë që kemi bërë dhe duhet të vazhdojmë kështu”, u shpreh ai, duke nënvizuar se skuadra provoi të krijonte rrezik në minutat e fundit me futjen në lojë të David Kobiljar dhe Agustín Álvarez.

Shehi foli edhe për aspektin taktik të takimit, duke shpjeguar se Tirana ndryshoi skemë gjatë lojës. “Edhe në ndeshjen me Dinamon luajtëm me 4-3-3, ndërsa sot në fazën mbrojtëse ishim 3-5-2. U nxituam në ndërtimin e lojës dhe duhej të ndryshonim më shpesh krahun e sulmit”, deklaroi ai.

Trajneri shtoi se skuadra kishte edhe mungesa dhe për këtë arsye disa lojtarë u aktivizuan në pozicione të ndryshme nga ato të zakonshmet. “Na mungonin disa lojtarë dhe u detyruam të përshtatim skemën. Konsumi fizik ishte i madh dhe u përpoqëm të mbulonim zonën qendrore me tre lojtarë”, theksoi Shehi.

Në fund, tekniku bardheblu u ndal edhe te ndeshjet e ardhshme të kampionatit. “Në pozicionin ku jemi duhet të japim më shumë se maksimumin. Duhet të ulim tensionin, sepse kjo ndikon edhe në finalizim. Megjithatë, me këtë grintë dhe sjellje skuadre mund të bëjmë më mirë në vazhdim”, përfundoi trajneri i Tiranës.