Gvozdenovic: Katër ditë të jashtëzakonshme, Elbasani tregoi forcën e tij
Elbasani vazhdon momentin pozitiv në kampionat, duke marrë një tjetër fitore të rëndësishme në transfertë. Skuadra elbasanase mposhti 1-0 Tiranën në stadiumin ‘Selman Stërmasi’, në ndeshjen e javës së 27-të të Kategoria Superiore.
Pas përfundimit të takimit, trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenovic, u shpreh shumë i kënaqur me paraqitjen e ekipit të tij, duke theksuar se skuadra ka përjetuar katër ditë të jashtëzakonshme, pasi arriti të fitonte në Tiranë si ndaj Partizanit, ashtu edhe ndaj Tiranës.
“Mund të them se këto kanë qenë katër ditë fantastike. Fituam dy herë në Tiranë, ndaj Partizanit dhe Tiranës. Është shumë e vështirë, por çunat kanë bërë një punë të jashtëzakonshme”, u shpreh Gvozdenovic.
Tekniku serb foli edhe për dëmtimin e Bruno Lulajt gjatë ndeshjes. “Ka marrë një goditje, por nuk duket problem me brinjët. Ndoshta është vetëm bllokim muskulor, do të mësojmë më shumë më vonë”, tha ai.
Gvozdenovic theksoi se atmosfera brenda skuadrës është një nga faktorët kryesorë të suksesit. “Kemi një harmoni shumë të mirë në ekip, nga tifozët te lojtarët dhe presidenti. Jam shumë krenar për skuadrën”, shtoi trajneri.
Ai u ndal edhe te goli vendimtar i shënuar nga Ze Gomes. “Ze Gomes e fitoi vetë vendin në formacion sepse ka punuar shumë mirë në stërvitje. Goli erdhi pas një krosimi të Mustës dhe finalizimit të tij”, shpjegoi tekniku.
Në fund, trajneri i Elbasanit theksoi edhe përgatitjen taktike ndaj kundërshtarit: “E dinim që Tirana ka mesfushë dhe sulm të fortë, por edhe pika të dobëta në mbrojtje. U përgatitëm për këtë dhe djemtë bënë gjithçka si duhet. Nuk është e lehtë të fitosh ndaj Partizanit dhe Tiranës për katër ditë, por ky është momenti i Elbasanit”.